

FIER/MALLAKASTËR – Tre persona janë arrestuar nga Policia e Fierit dhe Mallakastrës në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje. Gjatë ndërhyrjeve, policia sekuestroi dy armë zjarri dhe një armë gjahu.
Në Fier, operacioni i koduar “Aksi” çoi në arrestimin e një 19-vjeçari me inicialet M.M., banues në Vlorë. Ai u ndalua në Bypass-in e Fierit, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri, tip pistoletë.
Në vijim të veprimeve hetimore, policia arrestoi edhe një 28-vjeçar me inicialet F.B., banues në Vlorë, i cili udhëtonte si pasagjer në të njëjtin automjet. Sipas policisë, ai dyshohet se kishte dijeni që 19-vjeçari posedonte armën dhe se synonte ta shiste atë në Fier.
Ndërkohë, në Mallakastër u finalizua operacioni “Hidden Guns”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë 38-vjeçari I.S., banues në fshatin Lofkënd.
Sipas policisë, 38-vjeçari dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu një person tjetër. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të policisë bëri të mundur neutralizimin e situatës dhe arrestimin e tij.
Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri, tip kallashnikov, si dhe një armë gjahu, të cilat dyshohet se mbaheshin pa leje.
Materialet procedurale për të tre personat i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Policia njofton se kontrollet intensive për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje vijojnë.
Njoftimi i Policisë:
"DVP FIER/ Kontrolle intensive për goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Brenda 24 orëve, finalizohen 2 operacione policore në Fier dhe Mallakastër. Sekuestrohen 2 armë zjarri dhe 1 armë gjahu. Vihen në pranga 3 shtetas.
Në vijim të kontrolleve të intensifikuara për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur me armë zjarri në automjet, finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.
Në kuadër të këtij operacioni, në Bypass-in e Fierit u kap dhe u vu në pranga shtetasi M. M., 19 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit të automjetit që drejtonte 19-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri, tip pistoletë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua edhe shtetasi F. B., 28 vjeç, banues në Vlorë, pasagjer në automjet, pasi dyshohet se kishte dijeni se shoku i tij, shtetasi M. M., posedonte armën e zjarrit dhe do ta shiste në Fier.
Ndërkohë, në Mallakastër, u finalizua operacioni policor i koduar “Hidden Guns”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi I. S., 38 vjeç, banues në fshatin Lofkënd, Mallakastër.
Ky shtetas dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur me armë gjahu një shtetas tjetër. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur neutralizimin e situatës, arrestimin e autorit të dyshuar dhe sekuestrimin e një arme zjarri, tip kallashnikov, dhe një arme gjahu, të cilat i kishte fshehur në banesë dhe i mbante pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






