Transmetuar më 15-08-2026, 12:43

Operacioni “Kutitë” përfundoi me dy persona në pranga. Fidanët e mbjellë në kubikë dyshohet se po transportoheshin për t’u kultivuar

SHKODËR – Policia e Shkodrës ka goditur në fazë fillestare një tentativë për kultivimin e bimëve narkotike, duke sekuestruar 2500 fidanë të dyshuar Cannabis Sativa dhe një furgon.

Operacioni i koduar “Kutitë” u zhvillua pas patrullimeve dhe informacioneve të siguruara nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

Sipas policisë, efektivët konstatuan pranë fshatit Hajmel një furgon me ngarkesë të dyshimtë dhe nisën ndjekjen e tij deri në Vaun e Dejës, ku automjeti u ndalua për kontroll.

Brenda furgonit u gjetën disa kuti kartoni me kubikë, ku ishin mbjellë në total 2500 fidanë të dyshuar Cannabis Sativa.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë S. L., 23 vjeç, banues në Shkodër, dhe N. P., 29 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit.

Sipas hetimeve paraprake, dy të arrestuarit po transportonin kubikët nga Hajmeli drejt Vaut të Dejës, me qëllim kultivimin e tyre.

Policia sekuestroi fidanët dhe automjetin e përdorur për transport.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit