Transmetuar më 15-08-2026, 10:51

Armë nga Kosova drejt grupeve kriminale? Policia ndalon makinën në Maminas dhe gjen 3 pistoleta. Operacioni “Hallkat” çoi në arrestimin e dy personave. Në automjet u gjetën tre pistoleta dhe 34 fishekë, ndërsa policia po heton se kujt do t’i shiteshin armët

DURRËS – Policia ka finalizuar në Maminas operacionin e koduar “Hallkat”, të zhvilluar kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, të cilat dyshohet se kishin si destinacion shitjen te grupe kriminale në qytete të ndryshme.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy persona, ndërsa policia ka sekuestruar tre pistoleta, 34 fishekë, një automjet dhe një armë të ftohtë.

Në pranga ra Muhamet Bajraktari, 34 vjeç, banues në Kukës, i cili sipas policisë po transportonte armët me automjet. Ai akuzohet për “Trafikim të armëve dhe municionit” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje të armëve të ftohta”.

Bashkë me të u arrestua edhe D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, e cila ishte pasagjere në automjet dhe akuzohet për “Moskallëzim të krimit”.

Gjatë kontrollit të automjetit në Maminas, policia gjeti tre pistoleta dhe 34 fishekë, për të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova.

Kontrollet vijuan edhe në banesën e Bajraktarit, ku u gjet dhe u sekuestrua një armë e ftohtë, dorezë hekuri.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në trafikimin dhe destinacionin e armëve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /noa.al

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit