

TIRANË — Situata e zjarreve në vend mbetet kritike, ndërsa autoritetet raportojnë tetë vatra aktive nga 35 të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit. Për neutralizimin e flakëve janë angazhuar 120 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë dhe dy avionë specialë Air Tractor.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ndërhyrja nga ajri dhe toka po vijon në disa zona kyçe:
Parku Kombëtar i Lurës: Dy avionë Air Tractor dhe një autobot uji janë angazhuar për shuarjen e flakëve. Autoritetet konfirmojnë se banesat janë të sigurta, pasi janë hapur korridore mbrojtëse për të ndalur avancimin e zjarrit.
Mali i Dajtit: Dy helikopterë po operojnë mbi zonën e tuneleve të Qafë-Mollës. Për momentin nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa situata në Priskë dhe Farkë paraqitet nën kontroll.
Krujë: Po ndërhyhet në vatrat e aktivizuara në Abaz dhe Zidoll, gjithashtu pa rrezik për banorët.
Vatrat e tjera: Flakët mbeten aktive edhe në Lufaj të Lezhës, Dardhë të Elbasanit, pyjet e Tërbunit në Shkodër (Qafë Helmes) si dhe në aksin Bulqizë-Selishtë të Dibrës.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe strukturat e mbrojtjes civile po vijojnë punën në terren për vënien nën kontroll të plotë të vatrave të mbetura.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






