Transmetuar më 15-08-2026, 09:37

Tetë vatra zjarri mbeten aktive në vend. Operacionet më të mëdha po zhvillohen në Dajt, Dibër, Krujë dhe Bulqizë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes thotë se aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara në vatrat kryesore

TIRANË – Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat tetë vijojnë të jenë aktive, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë përfshirë edhe 186 efektivë të Forcave të Armatosura, katër helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Aktualisht në terren vijojnë operacionet me 120 efektivë të Forcave të Armatosura, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Një nga vatrat ku po përqendrohen forcat është ajo në Dajt, mbi tunelet e Qafë-Mollës. Operacioni po mbështetet nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Priskë, Farkë dhe zonat përreth, ndërhyrja e 30 forcave zjarrfikëse me gjashtë mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll.

Në Krujë vijon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Ndërhyrjet nga toka, të mbështetura një ditë më parë edhe nga ajri, kanë ndihmuar në normalizimin e situatës. Në Zidoll po punohet për izolimin dhe shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Një tjetër operacion i rëndësishëm po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës. Hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e zjarrit drejt zonave të banuara.

Operacioni atje vijon me forcat në terren, të mbështetura nga 50 efektivë të Forcave të Armatosura, dy avionë Air Tractor dhe një autobot uji.

Në Qafë Helmes, në zonën Bulqizë-Selishtë, operacioni vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencave po vijojnë punën edhe në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.

Ndërkohë, vatrat në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh janë shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e strukturave në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe vënien nën kontroll të vatrave aktive.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit