

Nga testi i logjikës dhe ai fizik, te poligrafi dhe kontrolli i pasurisë: BKH hap garën për 40 hetues të rinj. Aplikimet pranohen deri më 14 shtator
TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hapur procedurën e konkurrimit për rekrutimin e 40 hetuesve të rinj në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Aplikimet do të pranohen deri më 14 shtator 2026, ora 16:00, ndërsa përzgjedhja do të zhvillohet përmes një procesi me disa faza eliminuese.
Sipas njoftimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, procedura do të jetë e hapur dhe konkurruese, ndërsa kandidatët do të vlerësohen mbi bazën e meritës, integritetit, aftësive profesionale dhe fizike, komunikimit dhe standardeve etike.
Për të aplikuar, kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë dhe të kenë përfunduar arsimin e lartë në fusha të tilla si policia, drejtësia, kontabiliteti apo profile të tjera të lidhura me veprimtarinë e institucionit.
Një tjetër kriter është të paktën një vit përvojë pune e dokumentuar në zbatimin e ligjit.
Për shkak të natyrës së punës, kandidatëve u kërkohet gjithashtu të plotësojnë kriteret e integritetit, sigurisë, pasurisë dhe figurës.
Aplikantët duhet të pranojnë edhe kontrolle të zgjeruara që prekin telekomunikimet personale dhe të dhënat financiare, si pjesë e procesit të verifikimit.
Konkurrimi do të nisë me testin konjitiv, të sjelljes dhe arsyetimit logjik. Kandidatët që kalojnë këtë fazë do t’i nënshtrohen testimit fizik, testit të zgjeruar me shkrim dhe më pas intervistës së strukturuar.
Fituesit e fazave të pikëzuara do t’i nënshtrohen më pas testit të poligrafit, verifikimit të pasurisë dhe figurës, si dhe kontrolleve mjekësore dhe psikologjike.
Pozicioni i hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit parashikon një trajtim të posaçëm financiar. Sipas njoftimit, paga përbëhet nga paga bazë, e barabartë me 60 për qind të pagës bruto fillestare të një prokurori të SPAK-ut, si dhe nga një shtesë për vështirësi pune në masën 70 për qind të kësaj page bruto.
Kandidatët që përfundojnë trajnimin dhe emërohen në detyrë duhet të angazhohen për të shërbyer në Byronë Kombëtare të Hetimit për të paktën shtatë vjet.
Të interesuarit duhet të dërgojnë formularin elektronik dhe dokumentacionin përkatës në adresën [email protected], si dhe dokumentet fizikisht me postë pranë zyrave të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Tiranë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






