Transmetuar më 15-08-2026, 09:30

LONDËR – Jason Arday, ish-profesor 41-vjeçar i Universitetit të Kembrixhit, është gjetur i pajetë në banesën e tij në Battersea, në jug të Londrës, vetëm pak ditë pasi kishte dhënë dorëheqjen në mes të një polemike mbi karrierën dhe punën e tij akademike.

Policia Metropolitane e Londrës bëri të ditur se u njoftua rreth orës 15:12 të premten, më 14 gusht, pas një telefonate nga Shërbimi i Ambulancës së Londrës. Një burrë 41-vjeçar u gjet pa shenja jete në banesë.

Sipas policisë, vdekja po trajtohet si e papritur, por jo e dyshimtë. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur dhe çështja pritet t’i referohet mjekut ligjor.

Familja: Ishte një njeri i jashtëzakonshëm

Familja e Arday-t tha se ishte “e shokuar” nga humbja e tij, duke e përshkruar si një baba, partner, vëlla, xhaxha dhe djalë të dashur.

Në deklaratën e familjarëve thuhej gjithashtu se Arday ishte një njeri i sjellshëm dhe se “një fushatë dezinformimi ishte shumë e tepërt për Jasonin”.

Vdekja e tij vjen vetëm pak ditë pasi karriera akademike ishte përfshirë në një debat të gjerë publik dhe një hetim formal nga Universiteti i Kembrixhit.

Polemika mbi CV-në dhe tezën e doktoraturës

Në ditët e fundit ishin ngritur pikëpyetje mbi disa prej pretendimeve të përfshira në CV-në akademike të Arday-t, përfshirë pozicione të deklaruara si profesor i ftuar në universitete në Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Afrikën e Jugut. Disa prej institucioneve të përmendura kishin kundërshtuar ose vënë në pikëpyetje lidhjen e tij me to.

Në qendër të debatit ishte edhe teza e doktoraturës, për të cilën kritikët kishin pretenduar se disa pjesë ngjanin me punën e një studenti tjetër.

Arday kishte pranuar se në punën e tij akademike kishte gabime, por kishte mohuar plagjiaturën e qëllimshme. Ai kishte deklaruar se disa prej gabimeve në punën e tij të hershme lidhen me autizmin e tij dhe mënyrën se si, sipas tij, përdorte imitimin për të kuptuar dhe përvetësuar informacionin.

“Po flasim për akademinë. Unë nuk vrava askënd”, kishte deklaruar ai për The Times, duke kundërshtuar atë që e konsideronte si një sulm të tepruar personal.

Dorëheqja pas presionit publik

Javën e kaluar, Arday njoftoi dorëheqjen dhe foli për “koston e tepruar personale” që kishte shkaktuar polemika.

Ai kishte deklaruar se kritikat janë pjesë e jetës akademike, por se presioni që kishte përjetuar kishte shkuar përtej një debati profesional.

“Akuzat e pamëshirshme, spekulimet dhe komentet publike kanë lënë një gjurmë të thellë tek unë dhe njerëzit që dua”, kishte thënë Arday.

Në të njëjtën kohë, ai kishte theksuar se dorëheqja nuk duhej të interpretohej si pranim i pretendimeve të ngritura ndaj tij.

Nga një karrierë e shpejtë te hetimi formal

Arday ishte bërë i njohur si profesori më i ri me ngjyrë në historinë e Kembrixhit, ndërsa emërimi i tij ishte cilësuar si një simbol i diversitetit dhe mobilitetit social në arsimin e lartë britanik.

Ai kishte studiuar Edukim dhe kishte përfunduar doktoraturën në Universitetin John Moores të Liverpoolit. Më pas kishte punuar në disa universitete britanike, përfshirë Roehampton, Durham dhe Glasgow.

Në vitin 2021, ai u emërua Profesor i Sociologjisë së Edukimit në Universitetin e Glasgow dhe më vonë mori një pozicion në Kembrixh.

Krahas çështjeve akademike, gjatë ditëve të fundit ishin ngritur pyetje edhe mbi pretendime të tjera në biografinë e tij, përfshirë pjesëmarrjen në programin televiziv “Seven Up”, punën vullnetare në Afrikë dhe Amerikën e Jugut dhe disa pretendime lidhur me mbledhjen e fondeve. Disa prej këtyre pretendimeve ai i kishte sqaruar ose tërhequr.

Fillimisht, Kembrixhi e kishte mbrojtur Arday-n dhe kishte kritikuar atë që e konsideronte si përpjekje për të dëmtuar reputacionin e tij. Pas publikimit të pretendimeve të tjera dhe reagimeve nga institucione të ndryshme, universiteti njoftoi nisjen e një hetimi formal.

Universiteti kishte bërë të ditur se nuk do të hetonte vetë tezën e doktoraturës, pasi ajo ishte mbrojtur në Universitetin John Moores të Liverpoolit.

Vdekja e papritur e Jason Arday-t ka tronditur familjen, kolegët dhe komunitetin akademik. Ndërkohë, autoritetet vijojnë procedurat për përcaktimin e shkakut të vdekjes, ndërsa familjarët kanë kërkuar respekt dhe privatësi.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit