

PORTUGALI – Bota e çiklizmit është tronditur nga një ngjarje tragjike. Çiklisti britanik Finlay Tarling, vetëm 19 vjeç, ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë gjatë etapës së tetë të Turisë së Portugalisë.
Sipas raportimeve të mediave portugeze, Tarling u përplas nga një automjet në zonën mes Melgaço dhe Fafe, ndërsa grupi i çiklistëve po kalonte nëpër Ponte de Lima, në veri të Portugalisë.
Raportohet se drejtuesi i automjetit po udhëtonte në drejtimin e kundërt të lëvizjes. Sipas Correio da Manhã, shoferi ishte kthyer pasi kishte menduar gabimisht se grupi i çiklistëve kishte kaluar tashmë.
Përplasja i shkaktoi 19-vjeçarit plagë të rënda. Ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje dhe tentuan ta shpëtonin, por Tarling nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Vdekja e tij u konfirmua nga organizatorët e Turisë së Portugalisë dhe Federata Portugeze e Çiklizmit, të cilat shprehën dhimbjen për ngjarjen tragjike. Autoritetet sportive nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi rrethanat e aksidentit.
Finlay Tarling ishte vëllai i çiklistit profesionist britanik Josh Tarling, duke e bërë edhe më të rëndë tragjedinë për familjen e tij dhe komunitetin e çiklizmit.
Në shenjë respekti për 19-vjeçarin, gara u pezullua, ndërsa ceremonia e podiumit në Fafe u anulua. Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin sportiv, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë rrethanat e aksidentit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






