

Të dhënat që shoqërojnë reformën e re territoriale tregojnë një vend gjithnjë e më të polarizuar: popullsia grumbullohet në pak qendra, ndërsa dhjetëra bashki humbasin banorë dhe plaken
TIRANË – Shqipëria po përjeton një përqendrim gjithnjë e më të madh të popullsisë në pak qendra urbane, ndërsa një pjesë e madhe e territorit, veçanërisht zonat rurale, verilindja, juglindja dhe rajonet malore, po humbasin banorë dhe kapacitete zhvillimi.
Kjo është panorama që del nga dokumentet analitike që shoqërojnë propozimin e mazhorancës për reformën e re administrativo-territoriale dhe reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Dokumenti “Reforma Administrativo-Territoriale 2.0”, i hartuar nga ekspertët socialistë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, evidenton një grup bashkish me dobësi të vazhdueshme demografike, ekonomike, financiare dhe administrative.
Një prej analizave kryesore është Indeksi i Masës Urbane, i ndërtuar mbi të dhënat e Censusit të vitit 2023.
Sipas tij, vetëm 13 bashki klasifikohen me nivel të lartë të masës urbane, por në territorin e tyre jeton 62.5 për qind e popullsisë së Shqipërisë.
Në anën tjetër, 30 bashki klasifikohen me nivel të ulët të masës urbane dhe përfaqësojnë vetëm 14.2 për qind të popullsisë së vendit. Tetëmbëdhjetë bashki të tjera renditen në kategorinë e ndërmjetme.
Tirana dominon ndjeshëm hartën demografike, me më shumë se gjysmë milioni banorë, ndërsa pas saj renditen Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra, Fieri, Kamza dhe Berati.
Në skajin tjetër ndodhen bashki të vogla si Pusteci, Libohova, Himara, Këlcyra, Memaliaj, Selenica, Dropulli, Finiqi, Delvina dhe Kolonja, të cilat, sipas analizës, kanë humbur peshë demografike dhe urbane.
Indeksi nuk merr në konsideratë vetëm numrin e banorëve. Ai kombinon madhësinë dhe dendësinë e popullsisë, mënyrën e shpërndarjes së saj në territor, raportin e varësisë demografike dhe nivelin e urbanizimit.
Kjo bën që edhe një bashki me territor të madh të konsiderohet strukturalisht e dobët nëse shumica e banorëve janë përqendruar në një qendër të vogël dhe pjesa tjetër e territorit është thuajse e pabanuar.
Një nga të dhënat më domethënëse të analizës është se mesatarisht rreth 57 për qind e territorit të bashkive rezulton i pabanuar.
Koeficienti Gini, i përdorur në këtë rast për të matur pabarazinë në shpërndarjen territoriale të popullsisë, arrin në nivel kombëtar në 0.86, duke treguar një përqendrim shumë të lartë të banorëve në një numër të kufizuar zonash.
Në Kolonjë dhe Korçë ky tregues arrin në 0.97, ndërsa Kamza regjistron vlerën më të ulët, 0.42, çka tregon një shpërndarje më të gjerë të popullsisë në territorin e saj.
Një tjetër problem është plakja e popullsisë.
Sipas raportit të varësisë demografike, në 51 bashki barra që fëmijët dhe të moshuarit përfaqësojnë ndaj popullsisë në moshë pune është më e lartë se mesatarja kombëtare. Në shumë prej këtyre njësive, numri i të moshuarve është tashmë më i lartë se ai i fëmijëve.
Edhe niveli i urbanizimit mbetet i ulët në një pjesë të madhe të vendit. Pa përfshirë Tiranën, norma mesatare e urbanizimit në 60 bashkitë e tjera llogaritet në 29.8 për qind.
Sipas analizës, 25 bashki nuk kanë asnjë vendbanim që përmbush kriteret për t’u konsideruar qytezë. Bazuar në kriteret e përdorura, vetëm gjashtë bashki mund të kategorizohen si qytete, 13 si qyteza ose periferi dhe 42 si kryesisht rurale.
Mazhoranca e përdor këtë ndryshim të fortë demografik si një prej argumenteve kryesore për rishikimin e hartës territoriale të miratuar në vitin 2014.
Raporti thekson se shpërndarja e popullsisë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, pasi disa zona janë rritur ndërsa të tjera kanë humbur një pjesë të konsiderueshme të banorëve.
Në dokument evidentohen gjithashtu vështirësitë e disa bashkive për të siguruar të ardhura të qëndrueshme, personel të kualifikuar dhe kapacitete të mjaftueshme administrative.
Megjithatë, vetë analiza pranon se ndryshimi i kufijve nuk është i mjaftueshëm për të zgjidhur problemet që lidhen me emigracionin, plakjen e popullsisë, pabarazitë territoriale dhe përqendrimin e aktivitetit ekonomik në pak zona.
Propozimi i socialistëve parashikon që 15 bashki të humbasin statusin e tyre si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe të bashkohen me bashki më të mëdha fqinje.
Bëhet fjalë për Fushë-Arrëzin, Klosin, Rrogozhinën, Dimalin, Poliçanin, Patosin, Divjakën, Selenicën, Maliqin, Këlcyrën, Memaliajn, Libohovën, Cërrikun, Belshin dhe Prrenjasi.
Propozimi ka shkaktuar kundërshtime në disa prej këtyre zonave, ku banorët kanë protestuar nga frika se shkrirja e bashkive mund t’i largojë më tej nga shërbimet publike dhe qendrat administrative.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






