Transmetuar më 15-08-2026, 07:52

Moti në vendin tonë gjatë ditës së sotme do të karakterizohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme, nën ndikimin e masave ajrore më të freskëta dhe relativisht të lagështa me origjinë veriperëndimore.

Dita do të nisë me kthjellime, por gjatë orëve në vijim pritet një shtim gradual i vranësirave, të cilat herë pas here do të bëhen mesatare deri të dendura. Ndryshimi i motit do të jetë më i dukshëm nga mesdita deri në orët e pasdites, veçanërisht në zonat qendrore dhe në jug të vendit.

Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në qendër dhe në jug. Në zonat juglindore, reshjet pritet të jenë më të shpeshta dhe në formën e shtrëngatave, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe, lokalisht, me breshër.

Era dhe deti

Era do të fryjë nga veriperëndimi në verilindje, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në vijën bregdetare dhe në zonat luginore, era do të forcohet, duke arritur deri në 14 m/s.

Në det pritet valëzim i forcës 1–3 ballë.

Në përgjithësi, dita do të sjellë një mot më të freskët dhe me luhatje të kushteve atmosferike, sidomos gjatë orëve të mesditës dhe pasdites.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit