

TIRANË – Dhjetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e Shqipërisë, ndërsa reshjet e shiut kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës në disa zona.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes për situatën deri në orën 20:00, gjatë orëve të fundit janë monitoruar 13 vatra zjarri. Prej tyre, 10 mbeten aktive, dy janë vënë nën kontroll dhe një vatër është shuar plotësisht.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet në terrene të vështira, me ndërhyrje nga toka dhe ajri. Prioriteti mbetet mbrojtja e zonave të banuara dhe izolimi i vatrave aktive.
Situata në Lurë
Një nga zonat ku operacioni vijon me intensitet është Lura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në terren janë angazhuar rreth 200 forca bashkiake, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës të Policisë së Shtetit dhe 18 vullnetarë.
Në operacion po përdoren gjithashtu dy automjete zjarrfikëse dhe dy avionë “Air Tractor”.
Ndërhyrja ka bërë të mundur kontrollin e flakëve në segmentin pranë banesave. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, në aksin Bulqizë–Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll një pjesë të zjarrit.
Dajti, Priskë dhe Farkë
Në Tiranë vijon ndërhyrja në zonën e Malit të Dajtit, ku janë angazhuar nëntë forca të strukturave të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, në Priskë dhe Farkë operojnë 30 forca të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të mbështetura nga gjashtë mjete.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata në zonën Priskë–Farkë paraqitet nën kontroll dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërhyrje në Krujë
Në Krujë, ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë vijuar në vatrat e Abazes dhe Zidollit.
Mbështetja ajrore është përdorur gjatë ditës, ndërsa në Zidoll ndërhyrja me helikopter ka ndihmuar në përmirësimin e situatës. Forcat në terren vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrës.
Reshjet ndihmojnë në disa zona
Në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijojnë operacionet dhe monitorimi i vatrave të mbetura.
Ndërkohë, reshjet e shiut në Përmet dhe Qukës kanë ndihmuar në normalizimin e situatës dhe në uljen e intensitetit të zjarreve.
Në Paulesh të Peqinit, vatra e zjarrit është shuar plotësisht.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në zonat e përfshira në përditësimin e fundit nuk është evidentuar rrezik për banesat.
Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen Civile, në koordinim me strukturat qendrore dhe vendore, vijon monitorimin e situatës dhe shpërndarjen e kapaciteteve operacionale, me fokus mbrojtjen e jetës dhe pronës, si dhe izolimin e vatrave që vijojnë të jenë aktive.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






