Transmetuar më 14-08-2026, 20:21

TIRANË – “Diaspora është këtu” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen” janë ndër thirrjet që po shoqërojnë protestën e kësaj të premteje në Tiranë, ndërsa qytetarët vijojnë marshimin në drejtim të Kryeministrisë.

Tubimit i janë bashkuar edhe të rinj shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët janë grumbulluar fillimisht në zonën e ish-Stacionit të Trenit. Prej aty, protestuesit kanë nisur marshimin drejt Sheshit “Skënderbej” dhe më pas në drejtim të Kryeministrisë.

Protesta e sotme është e 76-ta radhazi, sipas organizatorëve, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës politike.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit, ndërsa protestuesit kanë mbajtur pankarta dhe kanë përcjellë mesazhe kundër korrupsionit dhe politikës aktuale.

Ndër sloganet e përsëritura gjatë tubimit është edhe “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa pjesëmarrja e diasporës i ka dhënë një tjetër dimension protestës së kësaj mbrëmjeje.

Protestuesit vijojnë të marshojnë drejt Kryeministrisë, ndërsa pritet që tubimi të vijojë në orët në vazhdim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit