

Një stuhi e fortë ka përfshirë pasditen e së premtes qytetin e Pogradecit, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe përmbytje në disa prej akseve kryesore të qytetit.
Pas një periudhe me temperatura të larta dhe mot të thatë, ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike ka shkaktuar grumbullim të konsiderueshëm uji në rrugë dhe hapësira publike.
Problematika është raportuar veçanërisht në rrugën “Dëshmorët e Pojskës” dhe përgjatë shëtitores së qytetit, ku uji ka mbuluar pjesë të rrugës dhe hapësirat e kalimit për këmbësorët.
Reshjet intensive kanë vënë në vështirësi sistemin e kullimit, ndërsa niveli i ujit është rritur brenda një kohe të shkurtër në disa zona.
Pamjet e siguruara në terren tregojnë qytetarë që përpiqen të kalojnë përmes ujit, ndërsa në disa raste këmbësorët janë detyruar të heqin këpucët për të vijuar lëvizjen. Edhe lëvizja me biçikleta është vështirësuar për shkak të ujit të grumbulluar në rrugë.
Ndryshimi i motit në Pogradec vjen pas javësh me temperatura të larta në vend dhe një periudhe të zgjatur të thatë, gjatë së cilës janë regjistruar edhe vatra zjarri në disa qarqe të Shqipërisë.
Sipas informacioneve, mot me stuhi, rrebeshi shiu dhe përmbytje ka pasur edhe në Sarandë e Ksamil.
Neutralizohet zjarri në masivin pyjor të Peshtanit, digjen 7 dynymë kullota
Vatra e zjarrit në masivin pyjor të Peshtanit në Fier është neutralizuar pas ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse.
Reagim i strukturave të emergjencave si dhe ndihma e banorëve të zonës bëri të mundur izolimin e flakëve dhe shmangien e përhapjes së tyre në sipërfaqe të tjera.
Sipas bilancit paraprak, nga zjarri i sotëm është djegur një banesë e braktisur, ndërsa flakët kanë përshkuar rreth 7 dynymë me shkurre.
Vatra zjarri dhe në Lurë, Dajt, Krujë dhe Bulqizë
LURË – Në terren, 65 efektivë të FA dhe një zjarrfikëse. Zjarri është nën kontroll; nuk ka rrezik për jetën e njerëzve dhe banesat.
DAJT – 2 helikopterë të Forcës Ajrore të angazhuar për fikjen e zjarrit. Nuk paraqitet rrezik për banesat apo bizneset.
ABAZE, KRUJË – 32 efektivë, 1 zjarrfikëse, 1 ambulancë dhe 1 helikopter të angazhuar nga Forcat e Armatosura. Nuk ka rrezik për zonat e banuara
BULQIZË – 22 efektivë dhe 3 mjete të angazhuara nga Forcat e Armatosura. Situata pranë qendrave të banuara është nën kontroll të plotë, pa rrezik për jetën e njerëzve dhe banesat e tyre.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm ndërsa forcat operacionale vijojnë punën pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e vatrave, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave, pronave dhe mjedisit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






