Transmetuar më 14-08-2026, 17:27

Konsumi i energjisë elektrike në Shqipëri ka shënuar një rekord të ri gjatë sezonit veror, duke arritur në 27 809 MWh më 12 gusht 2026, sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Niveli i regjistruar më 12 gusht është rreth 5% më i lartë se rekordi i mëparshëm, i shënuar më 13 gusht 2025.

Rritja e kërkesës bëhet edhe më e dukshme nëse krahasohet konsumi mesatar i ditëve të para të gushtit me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Konsumi rritet me 22%

Gjatë periudhës 1–12 gusht 2026, konsumi mesatar ditor arriti në 25 787 MWh, rreth 22% më shumë krahasuar me mesataren e konsumit gjatë gushtit 2025.

Korriku dhe gushti kanë regjistruar deri tani nivelet më të larta të konsumit gjatë sezonit, përkatësisht 26 488 MWh dhe 27 809 MWh.

Rritja e kërkesës për energji vjen në një periudhë kur sistemi energjetik përballet edhe me vështirësi të shtuara në terren. Thatësira dhe temperaturat e larta kanë shtuar presionin mbi sektorin energjetik, ndërsa situata është komplikuar edhe nga zjarret pranë disa nënstacioneve dhe linjave të transmetimit.

OST dhe OSSH në gatishmëri

Përballë kërkesës rekord, ekipet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) po vijojnë ndërhyrjet dhe monitorimin e rrjetit për të garantuar sigurinë e infrastrukturës dhe vazhdimësinë e furnizimit me energji elektrike.

Rekordi i ri i konsumit tregon rritjen e presionit mbi sistemin energjetik shqiptar gjatë muajve të verës, në një periudhë kur kërkesa për energji rritet ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta dhe përdorimit më intensiv të pajisjeve të ftohjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit