

Një zbulim i pazakontë është bërë gjatë punimeve të rinovimit të një godine në Saint-Gilles-lez-Termonde, në Flandrën Lindore të Belgjikës, ku punëtorët gjetën një sasi të konsiderueshme ari të fshehur brenda një muri.
Zbulimi u bë të hënën, ndërsa punëtorët po kryenin punime në bodrumin e ndërtesës dhe po instalonin tubacione.
Gjatë punimeve, ata hasën një kuti të fshehur në mur. Brenda saj u gjetën copëza ari, monedha dhe shufra të identifikuara me numra.
Sipas një vlerësimi fillestar të raportuar nga mediat belge, vlera e arit mund të arrijë në rreth 9 milionë euro ose 835 milionë lekë të reja.
“Gjatë punës, punëtorët po instalonin tuba. Atëherë ata bënë këtë zbulim të mahnitshëm”, tha Geert Hillaert, përfaqësues i CAW East Flanders, organizata që zotëron ndërtesën.
Godina po i nënshtrohet aktualisht një rinovimi të plotë, me qëllim krijimin e studiove dhe ambienteve për zyra.
Punëtorët njoftuan menjëherë policinë
Pas zbulimit, kontraktori njoftoi pronarin e pronës dhe më pas policinë. Sipas Hillaert, veprimi ishte në përputhje me protokollin që ndiqet në raste të tilla.
Kreu i policisë lokale, Patrick Face, konfirmoi se në ndërtesë ishte gjetur një sasi e konsiderueshme ari.
Tashmë autoritetet duhet të përcaktojnë origjinën e arit dhe pronarin e tij ligjor. Një nga pistat e para të hetimit është nëse thesari mund të ketë lidhje me aktivitete kriminale të së kaluarës.
Nëse kjo mundësi përjashtohet, autoritetet do të përpiqen të identifikojnë pronarin ose trashëgimtarët e tij. Sipas Hillaert, procedura mund të zgjasë edhe disa vite.
Kush do ta marrë thesarin?
Një tjetër çështje që mbetet për t’u zgjidhur është se kujt do t’i takojë ari nëse nuk identifikohet pronari dhe nuk rezulton të jetë i lidhur me ndonjë aktivitet kriminal.
Për momentin, as CAW East Flanders, si pronare e ndërtesës, dhe as kompania që kreu punimet nuk e dinë nëse mund të kenë të drejtë për një pjesë të vlerës së gjetjes apo për ndonjë shpërblim për zbulimin.
Ndërkohë, ari është dorëzuar pranë një institucioni kompetent në Bruksel, ku mbahet nën masa të rrepta sigurie, në pritje të përfundimit të hetimeve dhe përcaktimit të pronësisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






