Transmetuar më 14-08-2026, 14:01

TIRANË – Shtetasit shqiptarë janë përballur me standarde dukshëm më të ashpra në sistemin e vizave të Mbretërisë së Bashkuar krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sipas një raporti të ri të titulluar “Asylum and Visa Applications from Albania: United Kingdom Trends and Insights”, hartuar nga Said Morina Beka dhe Uran Ferizi.

Analiza, e cila mbështetet në të dhënat e Home Office dhe Oxford Migration Observatory për periudhën 2018–2025, tregon se nga mbi 211 mijë aplikime të dorëzuara nga shqiptarët gjatë kësaj periudhe, vetëm 65.5 për qind e tyre janë miratuar. Përkundër kësaj, norma e miratimit për pesë vendet e tjera të rajonit ka qenë rreth 90 për qind, duke arritur deri në 95 për qind për Serbinë dhe 74 për qind për Kosovën.

Në tetë vite, Shqipëria ka regjistruar rreth 73 mijë refuzime vizash — ose 34.5 për qind të totalit të aplikimeve të saj — ndërsa pjesa tjetër e rajonit ka shënuar rreth 21 mijë refuzime, pavarësisht se numri i përgjithshëm i aplikimeve ishte i ngjashëm (201 mijë).

Megjithatë, raporti vëren një përmirësim gjatë viteve të fundit, ku norma e miratimit për aplikantët shqiptarë u rrit në 76 për qind pëjatë vitit 2025. Kjo vjen në një kohë kur emigracioni i parregullt dhe kërkesat për azil nga Shqipëria kanë shënuar rënie drastike krahasuar me kulmin e vitit 2022, ku mbërritjet me gomone ranë nga mbi 12 mijë në vetëm 255 raste gjatë vitit 2025.

Autorët e raportit theksojnë se shumica dërrmuese e shqiptarëve në Britani jetojnë e punojnë ligjërisht, por ngrenë pikëpyetjen nëse kufizimet e theksuara në rrugët e rregullta të vizave mund të kenë ushqyer më parë perceptimin e mbylljes së kanaleve ligjore të lëvizjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit