

PRISHTINË – Hetuesit amerikanë kanë publikuar raportin paraprak mbi incidentin e rëndë të 10 korrikut në fluturimin e kompanisë Ryanair nga Selaniku drejt Memmingenit, ku një pasagjer 61-vjeçar serb, Ljubisa Karoviq, u plagos rëndë pasi u tërhoq pjesërisht jashtë dritares së avionit.
Sipas raportit të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB), shkak i ngjarjes u bë shkëputja e një flete të ventilatorit të motorit të djathtë pak pas ngritjes. Pjesët e shkëputura goditën dhe thyen xhamin e kabinës, ndërsa presioni dhe vrima e krijuar bënë që Karoviq, i ulur pranë dritares, të tërhiqej jashtë me kokën dhe shpatullën e djathtë.
Bashkëshortja e tij, Svetlana Grkoviq Maksimoviq, ka treguar se paniku u vu nën kontroll falë ndihmës së udhëtarëve të tjerë dhe një pasagjeri që dyshohet se ishte shqiptar. Sipas saj, ai u përpoq fillimisht me një çantë dhe më pas me një valixhe për të bllokuar vrimën dhe për të ndihmuar në tërheqjen e pasagjerit brenda, duke i shpëtuar jetën.
Pilotët shpallën menjëherë emergjencën pas një shpërthimi të fortë dhe dridhjeve të vazhdueshme, duke u kthyer për t’u ulur në mënyrë të sigurt në aeroportin e Selanikut. Raporti tregon gjithashtu se motori ishte kontrolluar me ultratinguj në muajin maj, por nuk ishte konstatuar asnjë defekt.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






