

Një operacion antidrogë i koduar "Momenti" ka çuar në arrestimin e dy të rinjve në kryeqytet, pasi u kapën duke shkëmbyer lëndë narkotike të llojit kokainë.
Policia e Shtetit tha sot se ka sekuestruar gjithsej 252 gramë kokainë, një automjet tip "BMW" dhe tre aparate celulare.
Në pranga kanë rënë shtetasit D.Sh., 19 vjeç, dhe D.F., 26 vjeç. Sipas burimeve zyrtare, operacioni u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pas administrimit të informacioneve në rrugë operative.
Arrestimi i tyre u krye në flagrancë në rrugën "Egnatia", në momentin kur 19-vjeçari po i dorëzonte 26-vjeçarit një çantë që përmbanin 211 gramë kokainë.
Gjatë kontrollit të mëvonshëm të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit, autoritetet zbuluan dhe sekuestruan edhe 41 gramë të tjerë të së njëjtës lëndë narkotike. /noa.al
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






