Transmetuar më 14-08-2026, 10:44

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar bilancin e 24 orëve të fundit lidhur me situatën e zjarreve në vend, ku raportohen gjithsej 29 vatra, prej të cilave 11 mbeten ende aktive. Për menaxhimin e situatës janë angazhuar mbi 800 efektivë nga strukturat e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, shërbimet pyjore dhe vullnetarë, të mbështetur nga 52 mjete tokësore dhe pesë mjete ajrore (tre helikopterë dhe dy avionë "Air Tractor").

Analiza e detajuar e situatës sipas qarqeve dhe bashkive paraqitet si më poshtë:

Qarku Tiranë Bashkia Tiranë (Dajt dhe Priskë e Madhe): Vijon puna intensive për shuarjen e flakëve në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës në Dajt dhe në Priskë të Madhe. Autoritetet konfirmojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qarku Gjirokastër Bashkia Përmet: Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Terreni malor paraqitet tejet i vështirë për ndërhyrjen e mjeteve tokësore, por forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët janë në terren për izolimin e flakëve, ndërsa nuk rrezikohen zonat e banuara.

Qarku Dibër Bashkia Dibër (Gurë-Lurë): Është një nga operacionet më kritike të orëve të fundit. Në terren janë angazhuar 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 efektivë policie, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM). Falë ndërhyrjes së kombinuar nga toka dhe nga ajri me dy avionë "Air Tractor", është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave, duke shmangur rrezikun e djegies së tyre, ndërkohë që puna vijon në dy drejtime të tjera me intensitet të lartë.

Bashkia Bulqizë (Qafa e Helmes): Vatra mbetet aktive në një zonë pyjore, ku po operojnë 10 efektivë të Zjarrfikëses, 6 forca të bashkisë dhe 6 nga njësia administrative Selishtë.

Qarku Lezhë / Mirditë Bashkia Mirditë (Trojë): Për izolimin e vatrës po punohet me 13 efektivë të Zjarrfikëses dhe 3 automjete, 36 forca bashkiake, 3 efektivë policie, 20 vullnetarë, si dhe 30 efektivë e 2 mjetë zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.

Qarku Shkodër Bashkia Shkodër (Rrencë dhe Goraj-Budishtë): Vijojnë përpjekjet e forcave të Zjarrfikëses dhe Shërbimit Pyjor për izolimin e vatrës në Rrencë. Në zonën e Goraj-Budishtit, vatra po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Qarku Elbasan Bashkia Librazhd (Dardhë): Vatra në këtë zonë mbetet aktive, ku po ndërhyjnë strukturat e Zjarrfikëses, punonjësit pyjorë dhe forcat bashkiake, pa rrezikuar zonat e banuara.

Bashkia Cërrik (Shalës): Vijon puna për vënien nën kontroll të situatës nga ana e strukturave vendore.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (AKMC) bën me dije se po monitoron situatën në kohë reale për të koordinuar angazhimin e kapaciteteve sipas nevojave në terren.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit