

KOSOVË – Arben Visoqi, pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe kunati i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka njoftuar se është larguar nga detyra pas 26 vitesh shërbim, në përfundim të një procedure disiplinore.
Sipas Visqoit, vendimi për largimin nga puna lidhet me postime private në rrjetin social Facebook, të cilat gjatë procedurës janë cilësuar si shkelje e rëndë disiplinore. Ai pretendon se postimet janë interpretuar si dëmtim i imazhit të Policisë së Kosovës, ndërsa mohon t’i ketë publikuar ato në uniformë apo në emër të institucionit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Visoqi pretendon se procedura ndaj tij është iniciuar pas një ankese anonime, të cilën ai ia atribuon Lëvizjes Vetëvendosje. Ai e lidh rastin edhe me disa raporte sinjalizuese që, sipas tij, kishte dorëzuar më herët ndaj zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës.
Visoqi akuzon drejtuesit e Policisë së Kosovës se nuk kanë hetuar denoncimet e tij dhe se procedura disiplinore është përdorur si formë hakmarrjeje. Ai pretendon gjithashtu se gjatë procesit janë përdorur elemente të falsifikuara nga Facebook-u, pretendime që nuk janë të pavarura të verifikuara në materialin e bërë publik prej tij.
Pretendime për ndikim politik
Në reagimin e tij, Visoqi e lidh largimin nga puna edhe me zhvillimet politike dhe me Lëvizjen Vetëvendosje. Ai pretendon se kishte marrë më herët paralajmërime për një veprim të mundshëm ndaj tij dhe familjes së tij.
Sipas tij, në të njëjtën ditë kur iu iniciua procedura disiplinore, bashkëshortja e tij u degradua nga detyra në Postën dhe Telekomin e Kosovës. Visoqi e cilëson këtë si pjesë të një presioni politik ndaj familjes së tij.
Ai shprehet se nuk e konsideron largimin nga puna të drejtë dhe se do ta ndjekë çështjen përmes gjykatave dhe institucioneve të tjera ligjore.
“Tani më mbetet ta mbroj të drejtën time në Gjykatë dhe në instanca tjera, i bindur në të drejtën time ligjore, por edhe morale”, shkruan Visoqi në reagimin e tij.
Përmend të drejtën për përdorimin privat të Facebook-ut
Në reagimin publik, Visoqi argumenton se ligji që rregullon Policinë e Kosovës u garanton punonjësve të drejta civile dhe politike, përfshirë përdorimin privat të rrjeteve sociale.
Ai shprehet se është krenar për shërbimin e tij 26-vjeçar në Policinë e Kosovës dhe thotë se do të vijojë të kërkojë atë që e konsideron të drejtën e tij në rrugë ligjore.
Visoqi është gjithashtu kunati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aktualisht po përballet me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Pretendimet e bëra nga Visoqi në reagimin e tij publik për ndërhyrje politike, hakmarrje institucionale dhe falsifikim provash mbeten pretendime të tij, në pritje të një vlerësimi nga institucionet përkatëse dhe, nëse çështja ndiqet në rrugë gjyqësore, nga gjykata.
Postimi i plotë:
"Te nderuar miq, Pas 26 vitesh pune me perkushtim maksimal dhe dinjitet te larte njerezor dhe ligjor, si punonjes dhe si epror ne Policine e Kosoves, sot mu dha vendimi per largim nga puna. Vendimi u soll pas nje beteje ligjore disa mujore brenda Policise se Kosoves. Akuza: do i kem qitur hije te zeze imazhit te Policise se Kosoves me postime private ne Facebook, duke me ngarkuar me shkelje te rende disiplinore-duke ma mveshur sikur ta perdorja facebook ne uniforme apo ne emer të Policise! Motivi: Rasti disiplinor me eshte inicuar nga Vetevendosje me ankese anonime, ndersa eksponent brenda Policise se Kosoves bartes te 3 organeve kryesore per luftim te dukurive negative dhe disiplines se brendshme, per te njejten çeshtje, kane shfrytezuar rastin qe te me hakmerren pershkak te raporteve sinjalizuese ndaj tyre, duke me hapur edhe nje rast tjeter (per t’u siguruar keshtu qe goditjet e tyre te jene me efekt). Ne kete rast, drejtori i Pergjithshem i Policise se Kosoves, ne vend qe te zbatoj ligjshmerine per hetim te raporteve sinjalizuese dhe mbrojtje te sinjalizuesve, i pa zot qe te mirret me çeshtje te ndieshme dhe keqperdorime sistematike dhe masive nga ana e ketyre organeve, gjen menyren me te lehte: kunderigjshmerine, qyqarllekun dhe dorezimin para krimit. Ne pabesi, por edhe i shtyer edhe nga politika, kete rast Vetvendosja, e cila kishte shkuar aq larg sa te falsifikoj elemente Facebook-u qe do te mirreshin per baze si te mireqena me vone ne proceduren disiplinore ndaj meje, zgjedh te mirret me denoncuesin e krimit, nje punonjesi luftetar te krimit dhe ketyre krimineleve (te dyshuar) brenda Policise. Ndaj, nje kurreshtar do te pyeste pse Vetvendosje? Sepse, burime nga Vetvendosje me kane çu fjale dhe paralajmeruar per planin qe po pergaditej nga zyra e tyre kunder meje dhe familjes. Sepse, te njejten dite e degraduan kunderligjshem bashkeshorten time në Poste Telekomin e Kosoves dhe po ate dite me eshte inicuar procedura disiplinore ndaj meje. Dhe, as une e as bashkeshortja ime nuk jemi të vetmit familjar të Hashim Thaqit qe perndjeket politikisht dhe familjarisht nga kjo parti dhe lideri frikacak i saj. Por, keto jane çeshtje te imeta ne raport me katandisjen e vendit, jo stabilitetin dhe kaosin politik dhe institucional qe po i shkaktohen Republikes se Kosoves dhe çeshtje tjera qe nderlidhen me procesin e gjykimit te luftes se drejt të UÇK-se dhe prijesve te saj ne Hage. Njeherit te kaluares sone te lavdishme, shtetit dhe te ardhmes. Çka tani? Tani me mbetet ta mbroj te drejten time ne Gjykate dhe ne instanca tjera, i bindur ne te drejten time ligjore, por…edhe morale. Perndryshe, asnje te keqe s’kam bere (as ligjore e as morale). Nese dikush ka dileme, ligji i Policise se Kosoves eshte i qarte: ‘’Punonjesi i Policise se Kosoves gezon te drejta civile dhe politike si çdo qytetar tjeter. Ne kete rast-edhe perdorimin privat te Facebook-ut si e drejt civile. Prandaj, jam krenar me punen time. Do ta mbaj koken larte edhe tani, dhe gjithmone! Jam krenar me familjen time Visoqi! Jam vellau i deshmorit legjendar Bujar Visoqi! Krenar qe kam luftu per kete vend! Krenar me historine e familjes! Privilegj te jem dhanderr i Hashim Thaqit, daja i 3 djemve te mij! Jam shume me FAT…! Per fund, meqe nuk kam patur te drejt të prononcohem per çeshtje pune gjate procedures disiplinore dhe suspendimit, tani shfrytezoj rastin te falenderoj secilin qytetar per perkrahjen keta muaj te fundit. Jam entuziazmuar shume me kete! Dua te falenderoj mediumet lokale, familjaret dhe shoqerine time! Poashtu edhe gjithe koleget e ndershem qe vazhdojne te sherbejne ne Policine e Kosoves. Miq, me vie keq qe po ju troturoj me keso lajmesh…perndryshe une jam pergaditur moralisht dhe psiçikisht te perballoj dhe luftoj padrejtesite…por… kam punuar edhe me familje dhe me dy prinderit-qe mos t’i merzis!", shkruan ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






