

TIRANË – Rritja e kostos së qirave në Tiranë po e vështirëson gjithnjë e më shumë përballimin e shpenzimeve të jetesës për familjet e reja dhe shtresën e mesme. Në fillim të korrikut, qiraja mesatare mujore për apartamentet e banimit në kryeqytet arriti në 721 euro, sipas të dhënave të transaksioneve të qirave të agjencisë imobiliare CPM, të vëna në dispozicion për Monitor.
Ky nivel qiraje përbën një barrë të konsiderueshme në raport me të ardhurat. Sipas përllogaritjeve të bazuara në pagën mesatare mujore bruto të publikuar nga INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2026, kostoja e qirasë përfaqëson rreth 77% të të ardhurave mujore bruto, ndërsa në raport me të ardhurat neto arrin në rreth 97%.
Për familjet, presioni financiar shtohet edhe nga shpenzimet për ushqime, transport, energji, arsim dhe shërbime të tjera bazë. Për këtë arsye, një pjesë e familjeve të reja po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes në qytete pranë kryeqytetit, ndërsa vijojnë të punojnë në Tiranë.
Elbasani dhe Durrësi, alternativa për familjet e reja
Sipas Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e agjencisë imobiliare Colliers International Albania, një pjesë e familjeve të reja po orientohen drejt Elbasanit dhe Durrësit, kryesisht për shkak të kostove më të ulëta të strehimit.
Dhami argumenton se familjet e shtresës së mesme po përballen me njëkohësisht me rritjen e qirave dhe shpenzimeve të tjera të jetesës, përfshirë kostot e kopshteve, shkollave dhe produkteve bazë.
“Tregu i qirave në Elbasan ofron ende apartamente me çmime dukshëm më të ulëta se në Tiranë”, shprehet Dhami, duke shtuar se qiratë në Elbasan mund të jenë rreth 30–40% më të ulëta se në kryeqytet.
Ndërkohë, Durrësi paraqitet si një alternativë tjetër, por me nivele qiraje më të larta se Elbasani, për shkak të kërkesës së ndikuar edhe nga zhvillimi i turizmit.
Kostoja e banimit po ndryshon hartën e zgjedhjeve
Sipas ekspertes, kostoja e strehimit është kthyer në një nga faktorët kryesorë që po ndikon në vendimet e qytetarëve për vendbanimin. Për shumë familje, diferenca mes qirasë në Tiranë dhe asaj në qytetet përreth është mjaftueshëm e madhe për të justifikuar edhe vështirësitë e udhëtimit të përditshëm.
Dhami vlerëson se një transport publik më efikas dhe me kosto të përballueshme do të mund të nxiste edhe më shumë këtë tendencë, pasi qytete si Elbasani dhe Durrësi ndodhen relativisht pranë kryeqytetit.
Megjithatë, zhvendosja jashtë Tiranës sjell një tjetër kosto: udhëtimin e përditshëm drejt vendit të punës dhe përballjen me trafikun. Pavarësisht kësaj, për disa familje kursimi që sigurohet nga një qira më e ulët po e bën këtë kompromis gjithnjë e më të pranueshëm.
Fenomeni tregon se kriza e përballueshmërisë së banimit në Tiranë nuk po ndikon vetëm në buxhetet familjare, por edhe në mënyrën se si qytetarët po zgjedhin të jetojnë dhe të organizojnë jetën e tyre rreth kryeqytetit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






