

Situata e zjarreve në vend vijon të mbetet e vështirë, me 38 vatra të raportuara gjatë ditës së sotme në qarqe të ndryshme të Shqipërisë. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 janë në ndjekje 18 vatra, prej të cilave 14 aktive, dy në monitorim dhe dy nën kontroll.
Në operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 309 efektivë të Forcave të Armatosura, 22 mjete, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Dibër, ndërhyrja kryesore në Gurë-Lurë
Situata më intensive vijon në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri mbetet aktiv në dy drejtime.
Në terren janë angazhuar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës policie, 15 vullnetarë dhe nëntë punonjës të ADZM-së. Operacioni mbështetet nga dy avionë Air Tractor.
Perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe, sipas autoriteteve, është shmangur rreziku i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara. Ndërhyrja vijon edhe në Qafën e Helmes.
Zjarret në Tiranë dhe Krujë
Në Tiranë, ekipet operacionale vijojnë ndërhyrjen në zonën e Dajtit dhe përgjatë aksit Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër. Në operacion janë përfshirë edhe helikopterët e Forcave të Armatosura.
Pavarësisht terrenit të vështirë, nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Abaze të Krujës, zjarri është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave operacionale dhe mbështetjes nga një helikopter i Forcave të Armatosura. Ndërkohë, në Bojë, Krastë dhe Halil nuk raportohen më vatra aktive.
Flakët vijojnë në disa qarqe
Në zonat e Nëmërçkës dhe Dhëmbelit, në Përmet, vijojnë operacionet për shuarjen e zjarreve. Terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Moravë të Devollit, zjarri është vënë nën kontroll.
Në Trojë të Mirditës vijon puna për izolimin e flakëve, me pjesëmarrjen e zjarrfikësve, forcave bashkiake, Policisë, vullnetarëve dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Në Shkodër, operacionet vazhdojnë në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Vatra në Goraj-Budishtë po shkon drejt izolimit dhe nuk paraqet rrezik për banesat, ndërsa zjarri në Kryezi është nën kontroll.
Në Elbasan, ekipet po punojnë në Dardhë, Lugaxhi dhe Shalës. Në Lugaxhi janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të shërbimit pyjor, ASHP-së, forca bashkiake dhe 30 vullnetarë. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Finiq, zjarret në Dhivër dhe Rumanxë janë shuar plotësisht, ndërsa vatra në Dhrovjan është vënë nën kontroll.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në bashkëpunim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të emergjencave.
Forcat dhe mjetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, ndërsa prioriteti i autoriteteve mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






