Transmetuar më 13-08-2026, 21:30

Ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka denoncuar monitorimin me kamera të takimeve të tij me avokatin Ledi Bianku në ambientet e IEVP-së “Jordan Misja” në Tiranë.

Meta e ka cilësuar situatën si një cenim të së drejtës për mbrojtje efektive dhe të konfidencialitetit të komunikimit mes avokatit dhe klientit.

Përmes një reagimi publik, Meta ka bërë të ditur se takimi i zhvilluar këtë të enjte me avokatin Ledi Bianku ishte i dyti dhe se ky i fundit pritet ta përfaqësojë atë përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Sipas Metës, gjatë takimit të parë, më 17 korrik 2026, avokati Bianku kishte konstatuar se ambienti ku zhvillohej takimi ishte nën monitorimin e një kamere.

Për këtë arsye, dy mbrojtësit ligjorë të ish-presidentit i janë drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave për garantimin e konfidencialitetit të komunikimit mes të paraburgosurit dhe avokatit.

Meta pretendon se ndaj kësaj kërkese nuk është dhënë përgjigje dhe se situata nuk ka ndryshuar. Sipas tij, edhe takimi i zhvilluar këtë të enjte me Biankun është zhvilluar në një ambient të monitoruar me kamera.

“Konfidencialiteti i komunikimit ndërmjet avokatit dhe klientit është një garanci themelore e së drejtës për mbrojtje efektive dhe e një procesi të rregullt ligjor, qoftë përpara gjykatave shqiptare, qoftë përpara GJEDNJ”, shprehet Meta.

Ai ka deklaruar se do të ndjekë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të tij dhe se, së bashku me avokatin Ledi Bianku, do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Sipas Metës, në GJEDNJ do të paraqitet shqetësimi lidhur me atë që ai e konsideron cenim të garancive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përfshirë të drejtën për një proces të rregullt, mbrojtje dhe përfaqësim efektiv, si dhe konfidencialitetin e komunikimit me avokatin.

Meta ka theksuar se qëllimi i reagimit të tij nuk është vetëm denoncimi i një rasti individual, por kërkesa për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës dhe të garancive ligjore për personat e privuar nga liria.

REAGIMI I ILIR METËS:

Sot zhvillova takimin tim të dytë me avokatin e mirënjohur Prof. Ass. Ledi Bianku, të cilin e falënderoj me mirënjohje për gatishmërinë për të më përfaqësuar përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

E konsideroj të nevojshme të bëj publik një fakt serioz, që prek drejtpërdrejt ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe konfidencialitetin e komunikimit ndërmjet një personi të privuar nga liria dhe mbrojtësit të tij ligjor.

Gjatë takimit të parë, të zhvilluar më 17 korrik 2026, avokati Prof. Ass. Bianku konstatoi se ambienti në IEVP “Jordan Misja”, ku po zhvillohej takimi ynë, ishte nën monitorimin e një kamere.

Ky fakt, në vlerësimin tonë, përbën një çështje serioze të papajtueshmërisë me garancitë ligjore shqiptare dhe standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht sa i përket konfidencialitetit të komunikimit ndërmjet të paraburgosurit dhe avokatit, si dhe ushtrimit real dhe efektiv të së drejtës së mbrojtjes dhe të përfaqësimit përpara GJEDNJ.

Për këtë arsye, me qëllim që situata të korrigjohej përpara takimit të radhës, dy mbrojtësit e mi ligjorë i janë drejtuar zyrtarisht Ministrit të Drejtësisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke kërkuar marrjen e masave konkrete për garantimin e konfidencialitetit të takimeve ligjore.

Pavarësisht këtij komunikimi zyrtar, deri në zhvillimin e takimit të sotëm nuk është dhënë asnjë përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtësve të mi dhe, më shqetësuesja, situata nuk ka ndryshuar.

Edhe takimi i sotëm me Av. Prof. Ass. Bianku është zhvilluar në një ambient të monitoruar me kamera.

Ky fakt nuk mund të konsiderohet një çështje thjesht administrative apo teknike. Konfidencialiteti i komunikimit ndërmjet avokatit dhe klientit është një garanci themelore e së drejtës për mbrojtje efektive dhe e një procesi të rregullt ligjor, qoftë përpara gjykatave shqiptare, qoftë përpara GJEDNJ.

Çdo ndërhyrje ose monitorim i këtij komunikimi, përtej kufijve të përcaktuar qartë nga ligji, cënon vetë thelbin e kësaj garancie.

Në këto rrethana, dhe në mungesë të një reagimi institucional ndaj kërkesave të paraqitura, e konsideroj të domosdoshme të bëj publike letrën zyrtare të dy mbrojtësve të mi ligjorë, si dhe të ndjek të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e të drejtave të mia.

Për këtë arsye, së bashku me mbrojtësin tim ligjor Av. Prof. Ass. Ledi Bianku, do t’i drejtohemi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke paraqitur para saj shqetësimin lidhur me cenimin e garancive të Konventës dhe, në veçanti, të standardeve që lidhen me të drejtën për një proces të rregullt, të drejtën e mbrojtjes dhe përfaqësimit efektiv, si dhe domosdoshmërinë e respektimit të konfidencialitetit të komunikimit me avokatin.

Theksoj se qëllimi i këtij qëndrimi publik nuk është thjesht denoncimi i një rasti individual, por domosdoshmëria për respektimin e standardeve të shtetit të së drejtës dhe të garancive që duhet të jenë të padiskutueshme për çdo person të privuar nga liria që duhet të gëzojë mbrojtje efektive ligjore.

Çështja tashmë do të ndiqet në rrugë institucionale dhe juridike, në përputhje me të gjitha mjetet ligjore të parashikuara nga legjislacioni shqiptar dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit