

Situata e zjarreve në Shqipëri vijon të mbetet shqetësuese, me dhjetëra vatra të raportuara gjatë ditës në disa qarqe të vendit. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se, deri në orën 18:00 të 13 gushtit, janë raportuar gjithsej 31 vatra zjarri, ndërsa aktualisht janë evidentuar 18 vatra.
Nga këto, 14 janë aktive, dy janë në monitorim dhe dy të tjera nën kontroll.
Strukturat vendore dhe qendrore të emergjencave vijojnë operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vetëm nga Forcat e Armatosura janë angazhuar 309 efektivë, 22 mjete, një autobot, tri ambulanca, nëntë mjete zjarrfikëse, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Dajti dhe Qafë-Molla
Në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës vijon ndërhyrja e 20 forcave të MZSH-së dhe 10 punonjësve të ADZM-së, me mbështetjen e dy helikopterëve të Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, në aksin Priskë e Madhe–Gurrë–Farkë–Lundër janë angazhuar 40 efektivë të MZSH-së me tetë automjete zjarrfikëse, 25 vullnetarë dhe dy helikopterë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Krujë dhe Dibër
Në Abaze të Krujës, zjarri vijon të jetë aktiv dhe është favorizuar nga era. Forcat operacionale po punojnë për shuarjen e flakëve, me mbështetjen e një helikopteri të Forcave të Armatosura. Nuk raportohet rrezik për banesat.
Situatë më e vështirë paraqitet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku zjarri vijon me intensitet të lartë në dy drejtime. Perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll dhe, sipas autoriteteve, është shmangur rreziku për përhapjen e flakëve drejt tyre.
Në terren janë angazhuar 120 forca bashkiake, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 punonjës policie, 15 vullnetarë dhe nëntë punonjës të ADZM-së, me mbështetjen e dy avionëve Air Tractor.
Përmet dhe Mirditë
Në zonat e Nëmërçkës dhe Dhëmbelit, në Përmet, vijojnë aktive disa vatra në sipërfaqe pyjore dhe kullota. Terreni i vështirë po e komplikon ndërhyrjen, ndërsa në operacion janë angazhuar zjarrfikës, punonjës të sektorit pyjor dhe vullnetarë. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Trojë të Mirditës vijon puna për izolimin e zjarrit, me angazhimin e strukturave të MZSH-së, 36 forcave bashkiake, tre punonjësve të Policisë, 20 vullnetarëve dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura.
Elbasan
Në Lugaxhi të Elbasanit situata paraqitet e rënduar, pasi zjarri është përhapur në kurorat e pishave. Në terren janë angazhuar forca të MZSH-së, shërbimeve pyjore, ASHP-së, strukturave bashkiake dhe 30 vullnetarë, me mbështetjen e MZSH-së së Cërrikut.
Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, në Shalës të Cërrikut është evidentuar një vatër e re, ku po ndërhyjnë tre efektivë të MZSH-së me një automjet zjarrfikës.
Finiq dhe zona të tjera
Në Dhivër të Finiqit po operojnë forcat e MZSH-së nga Finiqi, Delvina, Konispoli dhe Dropulli, me pesë automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë, të mbështetur nga forca bashkiake dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Vatra në Rumanxë është shuar plotësisht, ndërsa ajo në Dhrovjan është vënë nën kontroll.
Në zonën Mallakastër–Patos, vatrat në Drenie, Lofkënd dhe Ngraçije janë izoluar dhe situata vijon të mbahet nën monitorim. Ndërhyrja vazhdon edhe në ekonominë pyjore të Gjinoqarës.
Në Kryezi të Fushë-Arrëzit, zjarri është nën kontroll, ndërsa në Rrencë dhe Goraj-Budishtë vijojnë operacionet për izolimin e plotë të vatrave.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë territorin dhe ndërhyrjen në zonat ku zjarret mbeten aktive, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






