

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare të Ksamilit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve dhe respektimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë një patrullimi në sektorin detar të Ksamilit, në zonën e njohur si “Tre Ishujt”, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në hapësirën ku po laheshin pushuesit.
Sipas Policisë, hyrja e mjetit në këtë zonë ka rrezikuar jetën dhe sigurinë e personave që ndodheshin në det.
Pas përfundimit të procedurave administrative, mjeti lundrues është bllokuar, ndërsa pronari i tij, shtetasi A. P., është ndëshkuar me një masë administrative prej 500 mijë lekësh të rinj.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit.
Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet dhe patrullimet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë për të parandaluar shkeljet dhe për të garantuar sigurinë e pushuesve gjatë sezonit turistik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






