Transmetuar më 13-08-2026, 19:43

Tren pasagjerësh del nga shinat në Angli, përmbysen disa vagonë dhe pasagjerët mbeten të bllokuar

13 gusht 2026 | Botë

Një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat pranë stacionit hekurudhor të Lewes, në East Sussex, në jug të Anglisë, duke shkaktuar përmbysjen e disa vagonëve dhe bllokimin e pasagjerëve brenda tyre.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:54 me kohën lokale. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje janë mobilizuar ekipet e emergjencës dhe të shpëtimit, të cilat kanë nisur operacionin për nxjerrjen e pasagjerëve nga vagonët e dëmtuar.

Sipas raportimeve të mediave britanike, deri në këto momente nuk janë raportuar viktima. Disa persona kanë pësuar dëmtime, por nuk raportohet se ndonjëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pamjet e publikuara nga vendngjarja tregojnë disa vagonë të përmbysur pranë shinave, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë ndërhyrjen për të nxjerrë personat që kanë mbetur të bllokuar.

Autoritetet britanike e kanë trajtuar ngjarjen si një incident të rëndë hekurudhor. Shkaqet që çuan në daljen e trenit nga shinat nuk janë bërë ende të ditura.

Aksidenti ndodhi në një ditë me temperatura të larta në Britani, ku në disa zona temperaturat kanë arritur deri në 38°C. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna zyrtare që lidhin temperaturat e larta me aksidentin.

Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa operacioni i shpëtimit dhe ndërhyrja e ekipeve të emergjencës vazhdojnë në zonë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit