

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama ka mbrojtur vijimin e mbështetjes së Shqipërisë për Ukrainën, duke argumentuar se qëndrimi kundër agresionit rus dhe në mbështetje të lirisë nuk duhet të kushtëzohet nga qëndrimi i Kievit ndaj Kosovës.
Rama ka theksuar se deklarata e Zelenskyt për Kosovën nuk ndryshon qëndrimin e Shqipërisë ndaj luftës në Ukrainë, ndërsa ka kritikuar reagimet që, sipas tij, kërkojnë ndryshimin e politikës shqiptare ndaj Kievit.
“Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm në Tiranë dhe Prishtinë kishin nisur tashmë të bënin llogaritjet gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të ndalojmë së brohorituri për të lirët dhe së vajtuari për të bombarduarit”, shkruan Rama.
Ai ka kundërshtuar idenë se mbështetja ndaj një vendi që përballet me agresion duhet të kushtëzohet nga përfitimet apo qëndrimet e tij ndaj çështjeve të tjera politike.
“Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris sapo viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një favor që shkëmbehet me një favor, por është ajo që je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të rrëmujshme”, shprehet kryeministri.
Rama ka pranuar se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës është problematik për Shqipërinë, por ka theksuar se kjo nuk e zbeh, sipas tij, të drejtën e Ukrainës për të qenë e lirë.
“Ukraina mund të jetë, dhe po, është gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shkruan Rama, duke shtuar se këto dy qëndrime mund të bashkëjetojnë.
Në përfundim të reagimit, kryeministri ka deklaruar se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Ukrainën, pavarësisht qëndrimit të Kievit për Kosovën.
“Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja. Prandaj, po: RROFTË UKRAINA E LIRË! Sot, nesër dhe përgjithmonë”, përfundon Rama.
My dear friend Volodymyr Zelensky stood in Belgrade and said Ukraine has not changed its position and will not recognize Kosova. Within the hour, the loudest folk nationalists in Tirana and Pristina were already reaching for the geopolitical calculator: perhaps we should punish…
— Edi Rama (@ediramaal) August 13, 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






