

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hequr dorë nga kërkesat për një marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje, në një zhvillim të ri që vjen në mes të krizës institucionale në Kosovë.
Vendimi është bërë publik nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas një mbledhjeje rreth tri orë të Grupit Parlamentar të partisë.
Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja ka hequr dorë nga të gjitha kërkesat për poste, përfshirë atë të kryetarit të Kuvendit, tri ministritë e propozuara gjatë takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe postin e Presidentit.
“Kemi hequr dorë nga të gjitha postet, qoftë kryetarin e Kuvendit, qoftë tri ministritë e ofertuara në takim me Kurtin, qoftë edhe postin e Presidentit”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, LDK-ja do të qëndrojë në opozitë, ndërsa përgjegjësinë për zgjidhjen e situatës politike ia lë Vetëvendosjes.
“Meqë LVV-ja po vlerëson se s’ka nevojë për partner, s’do ta ketë as si dekor. Do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, ka thënë ai.
Megjithatë, LDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të kundërshtojë krijimin e institucioneve dhe është e gatshme të mbështesë zgjedhjen e një presidenti konsensual, me synim zhbllokimin e krizës institucionale.
“Pavarësisht këtij qëndrimi, s’do ta shndërrojmë zhgënjimin politik në bllokadë. Jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti që mbron interesat e Republikës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Tërheqja e LDK-së nga kërkesat për bashkëqeverisje dhe poste institucionale e zhvendos tashmë përgjegjësinë për hapat e mëtejshëm te Vetëvendosje, ndërsa mbetet e hapur çështja e zgjidhjes së ngërçit politik dhe funksionalizimit të institucioneve të Kosovës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






