Transmetuar më 13-08-2026, 18:09

LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për poste institucionale. Lumir Abdixhiku thotë se partia nuk kërkon më as ministri, as kreun e Kuvendit dhe as Presidencën

PRISHTINË – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se partia e tij tërhiqet nga çdo kërkesë për poste në institucionet e vendit, përfshirë pjesëmarrjen në qeveri, drejtimin e Kuvendit dhe postin e presidentit.

Deklarata u bë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një kohë kur vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën politike.

Abdixhiku tha se kërkesa e mëparshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e presidentit kishte synuar krijimin e një ekuilibri institucional.

Ai bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje i kishte propozuar partisë së tij pjesëmarrje në qeveri me tri ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit, një ofertë të cilën LDK-ja e kishte refuzuar.

“Vetëvendosje kërkonte prani dekorative të LDK-së në qeveri, ku LDK-së i janë propozuar vetëm tri ministri dhe zëvendëskryeministri. Ne refuzuam një nënshtrim të tillë”, deklaroi Abdixhiku.

Sipas tij, pas refuzimit të kësaj oferte, Lëvizja Vetëvendosje nisi atë që ai e cilësoi si një përballje publike ndaj LDK-së.

Abdixhiku tha se partia e tij ka vendosur tashmë të heqë dorë nga çdo pretendim për poste, me argumentin se dëshiron të heqë çdo pengesë apo justifikim që mund të përdoret për vazhdimin e krizës politike.

“Për ta çliruar procesin nga çdo alibi dhe për t’i hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetëror, LDK-ja tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojë pa asnjë përfitim politik në shmangien e krizës aktuale”, tha ai.

Kreu i LDK-së theksoi se partia nuk kërkon më asnjë ministri në një qeveri të mundshme.

“LDK-ja heq dorë nga çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri. S’e duam asnjë ministri, le t’i mbajë të gjitha VV-ja”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK-ja tërhiqet gjithashtu nga kërkesa për postin e kryetarit të Kuvendit dhe nga pretendimi për të udhëhequr Presidencën.

“Heqim dorë nga kërkesa për kryetar të Kuvendit dhe, më e rëndësishmja, edhe nga kërkesa për ta udhëhequr postin e presidentit”, tha Abdixhiku.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit