

Kujdes nëse udhëtoni natën drejt Durrësit: më 14 dhe 15 gusht ndryshon përkohësisht qarkullimi në autostradën Tiranë-Durrës për shkak të punimeve te mbikalimi i ri i Kasharit
TIRANË – Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar drejtuesit e mjeteve për kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostradën Tiranë-Durrës, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të projektit për zgjerimin e superstradës Tiranë-Durrës, Faza e Tretë.
Sipas njoftimit, gjatë datave 14 dhe 15 gusht 2026, nga ora 23:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për realizimin e punimeve dhe garantimin e sigurisë rrugore, do të jetë i nevojshëm bllokimi i përkohshëm i dy korsive të aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës.
Gjatë këtij intervali, automjetet që udhëtojnë në drejtim të Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës. Këto korsi do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me lëvizje në të dyja drejtimet.
Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron se kufizimet do të jenë në fuqi vetëm gjatë orëve të natës, nga ora 23:00 deri në 05:00, për të minimizuar ndikimin në qarkullimin e automjeteve.
“Gjatë këtij intervali, trafiku i mjeteve që lëviz drejt qytetit të Durrësit do të devijohet në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me dy drejtime lëvizjeje”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, automjetet që kanë si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen normalisht dhe pa pengesa.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u kërkon drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të angazhuar në menaxhimin e trafikut gjatë zhvillimit të punimeve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






