

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e një shtetasi kosovar në pikën kufitare në Merdare, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Arrestimi i Fehim Salit është kryer në kuadër të një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas autoriteteve, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), ndërsa dyshohet se ka pasur kontakte me zyrtarin e kësaj agjencie, Zhelimir Matoviq.
I dyshuari punonte si mësues në shkollën serbe “9 Maji”, në Rapçë të Dragashit. Më herët, ai ka qenë i angazhuar edhe në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, Sali dyshohet se është marrë me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, si dhe me grumbullimin e votave në mbështetje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Pas arrestimit në Merdare, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar një urdhërkontroll në banesën e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë kontrollit, sipas Policisë së Kosovës, janë sekuestruar 39.500 euro në para të gatshme, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme, të cilat konsiderohen relevante për hetimin.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale pritet t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa i dyshuari gëzon prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






