

Garda Civile spanjolle ka goditur një grup kriminal të dyshuar për një seri grabitjesh në banesa në Madrid dhe Toledo. Sipas autoriteteve, anëtarët udhëtonin drejt Spanjës për “fushata kriminale” dhe më pas ktheheshin në Shqipëri.
MADRID – Autoritetet spanjolle kanë goditur një grup kriminal të dyshuar për grabitjen e disa banesave në zona rezidenciale të Madridit dhe Toledos.
Operacioni, i koduar “Hábitat Bucle”, është zhvilluar nga agjentët e Gardës Civile spanjolle dhe ka zbardhur një seri vjedhjesh me forcë në disa zona të këtyre dy provincave.
Sipas hetimeve, grupi kishte bazë në San Sebastián de los Reyes dhe San Agustín del Guadalix dhe udhëtonte periodikisht drejt Spanjës për të kryer grabitjet. Pas përfundimit të tyre, anëtarët dyshohet se ktheheshin në Shqipëri së bashku me sendet e vjedhura.
Autoritetet spanjolle u atribuojnë të dyshuarve grabitje në Boadilla del Monte, Villanueva de la Cañada, Torrelodones, Las Rozas, Majadahonda, Griñón, Paracuellos del Jarama, Pozuelo de Alarcón dhe Esquivias.
Sipas hetimeve, objektivi ishin kryesisht shtëpitë individuale në zona rezidenciale. Për hyrjen në banesa përdorej ndër të tjera metoda e njohur si “resbalón”, e cila mundëson hapjen e një dere pa dëmtuar domosdoshmërisht bravën.
Grabitjet kryheshin në pak minuta. Dy persona hynin në banesë dhe merrnin sendet me vlerë, ndërsa një anëtar i tretë qëndronte jashtë, zakonisht në një automjet, për të kontrolluar zonën.
Sipas Gardës Civile, hyrjet në banesa kryheshin kryesisht në orët e vona të pasdites.
Një tjetër grup kriminal goditet në Spanjë
Në kuadër të një tjetër operacioni, autoritetet spanjolle kanë goditur edhe një organizatë kriminale itinerante me origjinë nga Gjeorgjia, e cila dyshohet për grabitje në banesa në Tres Cantos, Rivas-Vaciamadrid, Arganda del Rey dhe Valdemoro.
Grupi, me bazë në Coslada, përbëhej nga tre persona dhe dyshohet se vepronte kryesisht në pallate shumëkatëshe në zona rezidenciale.
Sipas hetimeve, anëtarët e organizatës kontrollonin më parë banesat për të përcaktuar nëse ishin të banuara dhe më pas hynin duke përdorur metoda të ndryshme për hapjen e bravave. Në fokus ishin bizhuteritë, orët, çantat dhe paratë cash.
Me këto dy operacione, numri i grupeve kriminale të specializuara në grabitje banesash, të goditura nga Garda Civile spanjolle gjatë vitit 2026, ka arritur në 7.
Sipas të dhënave të autoriteteve, në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar 26 persona dhe janë zbardhur rreth 120 grabitje në zona të ndryshme të Spanjës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






