

Interpol Tirana finalizon procedurat për ekstradimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia. 42-vjeçari dërgohet në Itali, ndërsa një 33-vjeçar nga Venezuela ekstradohet nga Gjermania drejt Shqipërisë.
TIRANË – Specialistët e Interpol Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet homologe ndërkombëtare, kanë finalizuar procedurat për ekstradimin e dy personave të kërkuar nga drejtësia, në dy operacione të ndara me Italinë dhe Gjermaninë.
Nga Shqipëria drejt Italisë është ekstraduar shtetasi Armando Valchizan, 42 vjeç, i njohur edhe me disa identitete të tjera, mes tyre Armando Dervishi, Altin Dervishi, Armando Gheorghe dhe Martin Dervishi.
Sipas Policisë së Shtetit, Valchizan është dënuar në vitin 2023 nga Gjykata e Pordenones, në Itali, me 5 vjet e 9 muaj burgim, pasi është shpallur fajtor për veprat penale “Vjedhje në rrethana rënduese” dhe “Emigracion i paligjshëm”.
Në operacionin e dytë, nga Gjermania drejt Shqipërisë është ekstraduar një shtetas nga Venezuela, G. C., alias Y. D., 33 vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare, pasi Gjykata e Tiranës, në vitin 2025, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Shtetasi venezuelian akuzohet nga drejtësia shqiptare për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Sipas autoriteteve, të dyja procedurat janë realizuar falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me strukturat homologe të Italisë dhe Gjermanisë, në kuadër të shkëmbimit të informacionit dhe zbatimit të procedurave ndërkombëtare për personat e kërkuar nga drejtësia.
Ekstradimet janë pjesë e operacioneve të përbashkëta për lokalizimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave ndaj të cilëve rëndojnë vendime gjyqësore ose masa sigurie nga autoritetet e vendeve përkatëse.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






