Transmetuar më 13-08-2026, 15:06

Policia ka finalizuar operacionin “Situata” dhe ka identifikuar 10 personat e përfshirë në konfliktin e ndodhur më 11 gusht në rrugën “Gjolekë Kokona”. Nga të shtënat nuk pati persona të lënduar.

TIRANË – Një konflikt mes disa personave, i shoqëruar me të shtëna me armë zjarri, është zbardhur nga Policia e Tiranës, e cila ka finalizuar operacionin e koduar “Situata”.

Ngjarja ndodhi rreth mesnatës së 11 gushtit në rrugën “Gjolekë Kokona”. Në kuadër të hetimeve, policia ka identifikuar 10 persona të përfshirë në konflikt.

Katër prej tyre janë arrestuar, katër të tjerë po procedohen në gjendje të lirë, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim.

Në pranga kanë përfunduar Rezar Zaimi, Kevin Kocibellinj, Stiven Fezollari dhe Rolf Fezollari. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Frenki Fezollarin dhe Cercis Brahimllarin.

Katër personat e tjerë të përfshirë në konflikt po procedohen në gjendje të lirë për veprën penale të moskallëzimit të krimit.

Si nisi konflikti

Nga hetimet paraprake dyshohet se përplasja nisi pasi Rolf Fezollari kishte fyer një 17-vjeçar. Pas kësaj, i mituri dhe disa prej miqve të tij janë përfshirë në një konflikt fizik me R. F., vëllain e tij S. F. dhe persona të tjerë që ndodheshin me ta.

Situata është përshkallëzuar më tej, pasi 17-vjeçari dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së dy vëllezërve.

Sipas Policisë, nga banesa dyshohet se F. F. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të dëmtuar.

Gjatë veprimeve hetimore, në vendngjarje është sekuestruar një thikë, si dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe sigurimin e provave të nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit