

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se përgjatë datave 14 dhe 15 gusht 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00 të mëngjesit, do të zbatohet një plan i përkohshëm për devijimin e trafikut në autostradën Tiranë-Durrës.
Masat kufizuese ndërmerren për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit, në kuadër të projektit për "Zgjerimin e Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)".
Për të garantuar sigurinë e qarkullimit gjatë orareve të punimeve, do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës. Trafiku i automjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohet dhe do të kalojë në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të funksionojnë përkohësisht me dy drejtime lëvizjeje.
Sipas njoftimit zyrtar, mjetet që kanë si destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit do të mund të vijojnë lëvizjen e tyre pa pengesa.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtij intervali kohor, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme rrugore dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve e bizneseve të zonës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






