Transmetuar më 13-08-2026, 12:10

Një 17-vjeçar irlandez ka humbur jetën tragjikisht gjatë pushimeve në Greqi, pasi dyshohet se është goditur nga rryma elektrike teksa po bënte dush në një banesë të marrë me qira në ishullin Kimolos, në Detin Egje.

Ngjarja është regjistruar më 9 gusht. Sipas policisë greke, adoleshenti ka rënë pa ndjenja menjëherë pas goditjes, ndërsa dyshimet paraprake të hetuesve lidhen me një defekt të rëndë në instalimet elektrike të shtëpisë. Autoritetet kërkuan menjëherë ekspertizë teknike për sistemin e banesës, nga e cila ka rezultuar paraprakisht se rrjeti elektrik nuk ishte rinovuar prej dekadash. Gjithashtu, dyshohet se paneli qendror nuk dispononte një mekanizëm sigurie për të ndërprerë automatikisht furnizimin me energji në rast anomalie.

Autopsia e trupit po kryhet në një spital në Pire, pranë Athinës, ku burimet mjekësore bëjnë me dije se vdekja dyshohet të ketë ardhur nga arresti kardiak si pasojë e goditjes elektrike.

Familja e të riut kishte lidhje të forta me ishullin Kimolos, pasi nëna e tij është me origjinë nga kjo zonë dhe ata e vizitonin rregullisht. Për të garantuar transparencën e procesit, familjes i është ofruar mundësia të caktojë një ekspert të pavarur teknik për të ndjekur hetimet.

Kryebashkiaku i Kimolosit, Kostas Vendouris, u shpreh se komuniteti i vogël i ishullit, i cili numëron më pak se një mijë banorë, është thellësisht i tronditur nga kjo ngjarje, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive teknike.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit