Transmetuar më 13-08-2026, 11:32

Një konflikt fillestar me sende të forta në një lokal në Divjakë ka rrezikuar të përfundojë në tragjedi, pasi njëri nga personat e përfshirë është rikthyer disa orë më vonë i pajisur me pistoletë me silenciator për të kryer vrasjen. Ndërhyrja në kohë e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur parandalimin e krimit dhe vënien në pranga të 6 personave.

Të arrestuarit janë identifikuar si Orgito Lamka (22 vjeç), Kevin Sota (45 vjeç), Serxhio Duda (28 vjeç), Shahin Xhepexhiu (51 vjeç), Santiago Alla (30 vjeç) dhe Zeni Kule (50 vjeç, pronar i lokalit).

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja nisi si një përleshje fizike me sende të forta brenda lokalit në pronësi të shtetasit Zeni Kule, ku u përfshinë 22-vjeçari Orgito Lamka dhe 51-vjeçari Shahin Xhepexhiu. Të dy personat morën mjekim dhe u shoqëruan në Komisariat për të dhënë deklarimet e tyre, pas së cilës u lanë të lirë të ktheheshin në banesa.

Megjithatë, situata ka marrë një kthesë kriminale kur policia ka marrë një njoftim operativ se 22-vjeçari Lamka ishte rikthyer te lokali, i armatosur me një pistoletë me silenciator, me qëllim eliminimin e 51-vjeçarit.

Operacioni "Crime Prevented" dhe sekuestrimet

Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve policore të Komisariatit Divjakë dhe strukturave të DVP Fier gjatë operacionit të koduar “Crime Prevented” ka bërë të mundur kapjen e autorëve në flagrancë.

Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, autoritetet sekuestruan:

2 armë zjarri pistoletë, ku njëra prej tyre ishte e pajisur me silenciator dhe me një fishek në fole, gati për qitje (e kapur te 22-vjeçari Lamka).

4 automjete që u përdorën gjatë lëvizjeve të personave të përfshirë.

6 aparate celulare.

Nga verifikimet e kryera, disa prej të arrestuarve rezultojnë me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve në Shqipëri dhe jashtë vendit. Ndërkohë, ndaj pronarit të lokalit (Zeni Kule) dhe 51-vjeçarit (Shahin Xhepexhiu) rëndojnë akuzat për moskallëzim krimi dhe deklarim të rremë para autoriteteve.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme ligjore.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, operacioni policor i koduar “Crime Prevented”.

Ndjekja në dinamikë nga shërbimet e Policisë e një konflikti, fillimisht me sende të forta, parandaloi një vrasje.

Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator.

Vihen në pranga 6 shtetas.

Policia e Divjakës mori njoftim se, në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta.

Menjëherë, shërbimet e Policisë janë afruar në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin O. L., 22 vjeç, dhe shtetasin Sh. Xh., 51 vjeç, të cilët ishin dëmtuar gjatë konfliktit me sende të forta.

Shtetasit O. L. dhe Sh. Xh., pasi kanë marrë mjekim dhe kanë përfunduar deklarimet në Komisariat, janë larguar në banesat e tyre.

Gjatë kryerjes së veprimeve për dokumentimin e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, shtetasi O. L., disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste shtetasin Sh. Xh.

Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen.

Në vijim të veprimeve operacionale dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve bënë arrestimin e shtetasve:

– O. L., 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.

Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje.

– K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri.

Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë.

– S. D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin shtetasi O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh.

– S. A., 30 vjeç, i cili ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S.

– Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi.

– Sh. Xh., 51 vjeç, për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.

Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit