Transmetuar më 13-08-2026, 07:54

PRISHTINË – Kriza politike në Kosovë po thellohet, ndërsa përpjekjet për konstituimin e Kuvendit kanë kaluar edhe në përplasje fizike mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Përplasjet nuk kanë shkaktuar të lënduar.

Seanca konstituive vijon të mbetet e bllokuar, ndërsa partitë politike kërkojnë zgjidhje për ngërçin institucional dhe, në një fazë të dytë, për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike, veçanërisht për çështjen e presidentit, duke e konsideruar këtë një nga çështjet kyçe për zhbllokimin e situatës.

Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, të thërrasë vazhdimin e saj, pavarësisht se ka kaluar afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Përplasje mes deputetëve

Situata u përshkallëzua gjatë seancës, me debate të ashpra verbale dhe shtyrje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, deklaroi se aktiviteti politik i partisë nuk do të kufizohet më vetëm brenda Kuvendit, por do të shtrihet edhe jashtë tij.

“Ne i bëjmë thirrje Albin Kurtit ta kthejmë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin dhe t’u lejojmë deputetëve të ushtrojnë mandatet e tyre”, tha Çitaku.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, e cilësoi bllokimin e Kuvendit si cenim të rendit kushtetues dhe kërkoi që institucionet të funksionojnë.

Afati kushtetues ka kaluar

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhej të konstituohej jo më vonë se 7 gushti, 30 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por deputetët nuk arritën të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Vetëvendosja kërkon që fillimisht të arrihet një marrëveshje politike për çështjet kryesore, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit. PDK-ja dhe Aleanca, nga ana tjetër, këmbëngulin se kalimi i afatit nuk e eliminon detyrimin për vazhdimin dhe përfundimin e procesit të konstituimit.

LDK-ja, e cila ka zhvilluar bisedime me Vetëvendosjen për një bashkëqeverisje të mundshme, ende nuk ka arritur një marrëveshje përfundimtare.

Shoqëria civile kërkon ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese

Për situatën e krijuar kanë reaguar edhe organizatat e shoqërisë civile. Katërmbëdhjetë organizata i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për interpretimin e zbatimit të vendimit të saj dhe të afateve për konstituimin e Kuvendit.

Ndërkohë, 46 intelektualë dhe akademikë kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve të reja dhe respektimin e rendit kushtetues.

Sipas tyre, zgjatja e krizës rrezikon funksionimin normal të institucioneve dhe mund të krijojë pasoja afatgjata për stabilitetin politik dhe institucional të Kosovës.

BE kërkon marrëveshje për presidentin

Edhe Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president.

BE ka paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë edhe në përfitimin e fondeve evropiane.

Në këtë situatë, një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera politike shihet si thelbësore për shmangien e një tjetër cikli zgjedhor.

Rreziku i zgjedhjeve të reja

Vetëvendosja ka 53 mandate, ndërsa së bashku me 10 deputetët e komuniteteve joserbe mund të sigurojë 63 vota, duke pasur potencialisht shumicën e nevojshme prej 61 votash për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë.

Megjithatë, zgjedhja e presidentit kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në sallë, çka e bën të domosdoshëm një konsensus më të gjerë politik.

Nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit brenda afateve kushtetuese, Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të reja.

Një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila disponon 18 mandate, do të krijonte një shumicë prej të paktën 81 deputetësh, duke mundësuar teorikisht edhe sigurimin e pjesëmarrjes së nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Kriza aktuale shënon një tjetër episod të paqëndrueshmërisë institucionale në Kosovë, pas disa proceseve zgjedhore të zhvilluara brenda një periudhe relativisht të shkurtër. /DW

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit