Transmetuar më 13-08-2026, 07:41

AUSTRI – Paris Saint-Germain ka fituar për të dytin vit radhazi Superkupën e Evropës. Kampionët në fuqi të Champions League mposhtën Aston Villan me rezultatin 2-1, në një finale të zhvilluar në “Red Bull Arena” të Salzburgut.

PSG e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe gjeti avantazhin në minutën e 20-të. Khvicha Kvaratskhelia realizoi një gol spektakolar me të djathtën, duke e dërguar topin nën traversë pas një aksioni të ndërtuar nga skuadra e Luis Enriques.

Aston Villa reagoi në fundin e pjesës së parë dhe arriti të barazojë në minutën e 45-të. Protagonist ishte 17-vjeçari Brian Madjo, i cili përfitoi nga krosi i John McGinn dhe goditi saktë topin, duke shënuar një gol të rëndësishëm në një prej ndeshjeve më të mëdha të karrierës së tij.

Në pjesën e dytë, Luis Enrique ndërhyri menjëherë duke aktivizuar Ousmane Dembélé. Ndryshimi rezultoi vendimtar.

Në minutën e 61-të, Dembélé asistoi për Désiré Doué, i cili kontrolloi topin dhe e dërgoi në rrjetë për 2-1. Goli u anulua fillimisht për pozicion jashtë loje, por pas verifikimit u konsiderua i rregullt dhe PSG riktheu avantazhin.

Unai Emery tentoi të ndryshonte rrjedhën e takimit me zëvendësime, duke aktivizuar mes të tjerëve edhe Tammy Abraham dhe Bogarde. Aston Villa kërkoi golin e barazimit, por mbrojtja e PSG-së rezistoi deri në fund.

Skuadra franceze pati gjithashtu një moment shqetësimi pas dëmtimit të Nuno Mendes, i cili u zëvendësua nga Lucas Hernández.

Me fërshëllimën e fundit, PSG festoi një tjetër trofe europian. Pas triumfit të sezonit të kaluar, kampionët e Evropës fitojnë për herë të dytë radhazi Superkupën e Evropës, duke nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme.

Për Unai Emery, ndërkohë, Superkupa vijon të mbetet një trofe i paarritshëm, pavarësisht sukseseve të tij të shumta në Europa League.

PSG 2-1 Aston Villa ⚽ Kvaratskhelia 20’ ⚽ Madjo 45’ ⚽ Doué 61’

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit