Transmetuar më 13-08-2026, 07:33

TIRANË – Ndërtimi në Shqipëri po shënon ritme të larta në vitin 2026, ndërsa të dhënat zyrtare për gjashtëmujorin e parë tregojnë një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, në gjashtë muajt e parë të vitit janë arkëtuar në të gjithë vendin 18.3 miliardë lekë, rreth 200% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Vlera është thuajse e barabartë me të ardhurat e mbledhura gjatë gjithë vitit 2024, kur arkëtimet nga kjo taksë arritën në 18.6 miliardë lekë. Krahasuar me totalin e vitit 2025, të ardhurat e gjashtëmujorit të parë 2026 janë rreth 15% më të larta.

Në vitin 2024, sipas të dhënave të INSTAT, u dhanë leje për rreth 2 milionë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi.

Tirana kryeson me 68% të arkëtimeve

Pjesën më të madhe të të ardhurave e ka gjeneruar Bashkia Tiranë. Në gjashtëmujorin e parë janë arkëtuar rreth 12.5 miliardë lekë, ose rreth 68% e totalit kombëtar.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u arkëtuan 2.7 miliardë lekë, rritja arrin në rreth 362%, ose afro pesëfish.

Duke marrë në konsideratë se taksa e ndikimit në infrastrukturë në Tiranë llogaritet në masën 8% të çmimit të shitjes për metër katror, bazuar në çmimet referuese, vlera e ndërtimeve që korrespondon me këtë nivel arkëtimesh llogaritet në rreth 156 miliardë lekë, ose afërsisht 1.6 miliardë euro.

Çmimet referuese për apartamentet në Bashkinë Tiranë janë ndryshuar për herë të fundit në korrik 2023, përmes VKM-së nr. 457, datë 26.07.2023. Për këtë arsye, sipas analizës së të dhënave, rritja e arkëtimeve lidhet kryesisht me zgjerimin e sipërfaqes së re të ndërtimit.

Edhe bregdeti përgatitet për më shumë ndërtime

Rritja e arkëtimeve nuk është përqendruar vetëm në kryeqytet. Bashkitë bregdetare kanë regjistruar gjithashtu rritje të ndjeshme.

Himara kryeson pas Tiranës, me rreth 1.2 miliardë lekë të arkëtuara nga kjo taksë, 301% më shumë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.

Në Durrës janë arkëtuar rreth 841 milionë lekë, me një rritje prej 58%, ndërsa Saranda ka mbledhur 478 milionë lekë, gati shtatë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në Golem, ndërkohë, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë rritur me 37%.

Mungojnë të dhëna të plota për lejet e ndërtimit

Një nga problematikat e evidentuara lidhet me mungesën e një pasqyre të plotë statistikore mbi lejet e ndërtimit.

Që prej fillimit të vitit 2025, statistikat e INSTAT për lejet e ndërtimit mbështeten në të dhënat e siguruara nga bashkitë, të cilat janë autoritetet kryesore për dhënien dhe raportimin e këtyre lejeve.

Megjithatë, procesi i miratimit të projekteve përfshin edhe institucione të tjera. Për këtë arsye, mungesa e një raportimi të standardizuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse e bën më të vështirë vlerësimin e plotë të volumit të ndërtimeve të reja.

Në këtë situatë, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë mbeten një nga treguesit kryesorë për të vlerësuar ritmet e aktivitetit ndërtimor.

Ndërkohë, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka shqyrtuar gjatë muajve të fundit një numër të konsiderueshëm kërkesash për leje ndërtimi dhe zhvillimi, përfshirë projekte turistike, rezidenciale, infrastrukturore, energjetike dhe të transportit.

Këto projekte nuk pasqyrohen të gjitha në statistikat e lejeve të publikuara nga INSTAT, duke krijuar një boshllëk në informacionin zyrtar mbi përmasat reale të aktivitetit ndërtimor.

Rritja e ndërtimit vjen në një kohë kur sektori i pasurive të paluajtshme vijon të ketë peshë të rëndësishme në ekonomi, ndërsa ekspozimi i sektorit bankar ndaj tij është rritur. Sipas të dhënave të cituara në analizë, kredia për pasuri të paluajtshme përbën rreth 52% të stokut total të kredisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit