

Forcat zjarrfikëse të Elbasanit i janë bashkuar operacionit për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Lundrës në Bashkinë Tiranë.
Lajmi është bërë i ditur nga Bashkia Elbasan, e cila njofton se stacioni zjarrfikës ndodhet në terren në mbështetje të forcave të angazhuara për përballimin e situatës.
Sipas njoftimit, situata paraqitet e vështirë, pasi flakët janë përhapur në afërsi të banesave, duke rritur rrezikun për pronat dhe sigurinë e banorëve. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar për mbrojtjen e banesave, ndërsa vijojnë përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.
Ndërhyrja po zhvillohet në kushte të vështira, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe era, faktorë që mund të përshpejtojnë përhapjen e flakëve.
Bashkia Elbasan ka bërë gjithashtu apel për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre në ambiente të hapura.
“Një pakujdesi e vogël mund të kthehet brenda pak minutash në një zjarr të madh”, thuhet në apelin e bashkisë.
Qytetarëve u kërkohet të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, të mos hedhin bishta cigaresh në zona të thata ose me bimësi dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast konstatimi të një vatre zjarri.
Bashkia Elbasan ka shprehur mirënjohje për zjarrfikësit që ndodhen në vijën e parë të rrezikut, duke punuar për mbrojtjen e banorëve dhe pronave.
Situata në Lundër vijon të mbetet nën monitorim, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






