

Bashkimi Evropian i Transmetuesve (EBU) ka ndryshuar rregullat e organizimit të Eurovisionit, duke shkëputur për herë të parë në mënyrë të qartë fitoren e konkursit nga e drejta automatike për të pritur edicionin pasardhës.
Sipas rregullores së re, shteti fitues mund të mos konsiderohet i përshtatshëm për organizimin e Eurovisionit nëse ndodhet në një konflikt të armatosur ose në një situatë të ndjeshme gjeopolitike që mund të përbëjë rrezik për sigurinë, stabilitetin apo mbarëvajtjen e aktivitetit.
Në raste të tilla, EBU mund t’ia besojë organizimin një transmetuesi tjetër. Ky i fundit do të marrë përsipër përgjegjësitë dhe të drejtat për zhvillimin e konkursit.
Ndryshimi është përfshirë në rregulloren e re pas rishikimit vjetor të konkursit dhe synon të krijojë më shumë qartësi për sigurinë e artistëve, delegacioneve dhe ekipeve që angazhohen në organizimin e eventit.
Rregullorja parashikon gjithashtu mundësinë e një vlerësimi të pavarur të situatës së sigurisë edhe në rastet kur në vendin fitues nuk ka konflikt të armatosur, por ekzistojnë rrethana që mund të ndikojnë në zhvillimin normal të aktivitetit.
Nga Ukraina te rregullat e reja
Ky ndryshim vjen pas rasteve kur Eurovisioni është zhvilluar jashtë vendit fitues. Në vitin 2022, Ukraina fitoi konkursin, por edicioni i vitit 2023 u organizua në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të luftës dhe pamundësisë për të garantuar zhvillimin e eventit në Ukrainë.
Edicioni i fundit është shoqëruar gjithashtu me debate lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit, në sfondin e luftës në Gaza. Spanja, Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia u tërhoqën nga gara pas konfirmimit të pjesëmarrjes së Izraelit. Ky i fundit u rendit i dyti në finale, duke përsëritur rezultatin e vitit 2025.
Me rregullat e reja, fitorja nuk garanton më automatikisht organizimin e edicionit pasardhës. EBU do të marrë në konsideratë kushtet e sigurisë dhe stabilitetit në vendin fitues përpara se të përcaktojë shtetin dhe qytetin pritës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






