

Dhjetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në territorin e vendit, ndërsa qindra forca dhe mjete tokësore e ajrore janë angazhuar në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 11 orëve të fundit në operacione janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete. Nga ajri, ndërhyrja po kryhet me pesë helikopterë të Forcës Ajrore dhe dy avionë të tipit “Air Tractor”.
Në Dajt, 22 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) dhe të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (ADZM) po punojnë për izolimin e vatrës, me mbështetjen e dy helikopterëve. Sipas autoriteteve, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Në Priskë të Madhe janë angazhuar 15 efektivë dhe katër automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga dy helikopterë. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat.
Në Drenie të Patosit, operacioni po vijon nga toka me forcat zjarrfikëse dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Në terren është vendosur gjithashtu një autoambulancë ushtarake.
Situata paraqitet e ngarkuar edhe në Krujë, ku ndërhyrja po vijon në disa vatra. Në Abazë janë angazhuar forcat tokësore, 57 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë.
Në lagjen Bojë, për shkak të terrenit të vështirë, po ndërhyhet me një helikopter, ndërsa tre automjete zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave. Operacioni vijon edhe në zonën Krastë–Halil, ku, sipas autoriteteve, nuk ka aktualisht rrezik për zonat e banuara.
Një nga operacionet kryesore po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, Policia, strukturat bashkiake, shërbimi pyjor, vullnetarë dhe 50 efektivë të Forcave të Armatosura. Nga ajri po ndërhyjnë dy avionë “Air Tractor”, ndërsa forcat tokësore janë pozicionuar pranë banesave që mund të rrezikohen nga përhapja e flakëve.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në zonat e Nëmërçkës dhe Dhëmbelit, në Përmet. Terreni i vështirë malor po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në malin e Moravës, në Devoll, forcat operacionale po punojnë në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Sipas autoriteteve, edhe në këtë zonë nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po monitoron situatën në të gjithë territorin dhe po koordinon ndërhyrjet me strukturat qendrore dhe vendore.
Operacionet do të vijojnë deri në izolimin, kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






