Transmetuar më 12-08-2026, 21:25

Një nga fenomenet më të veçanta astronomike të vitit është vërejtur edhe nga Shqipëria këtë të mërkurë, me eklipsin diellor që ka sjellë një pamje të veçantë në qiellin e Tiranës.

Gjatë fenomenit, Hëna ka kaluar përpara Diellit, duke mbuluar diskun e tij dhe duke krijuar një panoramë të pazakontë në qiell. Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, ndërsa pamjet e eklipsit janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.

Interesi për këtë fenomen astronomik ka qenë i madh edhe në vende të tjera të botës. Mijëra njerëz kanë udhëtuar drejt zonave ku eklipsi mund të ndiqej në kushte më të favorshme, veçanërisht në Spanjë, Islandë dhe Grenlandë.

Eklipset diellore ndodhin kur Hëna pozicionohet midis Tokës dhe Diellit dhe, nga këndvështrimi i vëzhguesve në Tokë, mbulon përkohësisht diskun diellor.

Fenomeni është një nga ngjarjet më tërheqëse astronomike, duke bërë që qytetarë, fotografë dhe studiues të ndjekin me interes lëvizjen e Hënës përpara Diellit dhe ndryshimet e krijuara në qiell.

Moment magjik në perëndim, eklipsi i pjesshëm i Diellit ngjyros qiellin mbi Fier

Një pamje e veçantë është shfaqur këtë të mërkurë në qiellin e Fierit, teksa eklipsi i pjesshëm i Diellit përkoi me perëndimin.

Në pamjet e siguruara nga BalkanWeb, Hëna shihet teksa mbulon një pjesë të Diellit në horizont, ndërsa qielli merr nuanca të kuqërremta.

Teksa Dielli largohej gradualisht në horizont, drita mbi qytet u zbeh dhe Fieri u përfshi nga një atmosferë e pazakontë, me një tis të lehtë errësire.

Fenomeni astronomik u ndoq me interes nga qytetarë në disa zona të Shqipërisë, të cilët kanë shfrytëzuar momentin për të fiksuar pamjet e rralla. Perëndimi i Diellit i kombinuar me eklipsin krijoi një panoramë spektakolare në qiellin mbi Fier.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit