Transmetuar më 12-08-2026, 21:00

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë veprime hetimore pas një deklarate kërcënuese ndaj deputetit Ramush Haradinaj. Sipas njoftimit zyrtar, një person i identifikuar si emigrant është shprehur publikisht se Haradinaj “duhet pushkatuar”.

Pas kërcënimit, Prokurori Kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm ka autorizuar Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme (NJHP), për të nisur menjëherë punën për identifikimin e personit të dyshuar dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë së personit që ka bërë deklaratën kërcënuese.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim të identifikimit të personit përgjegjës, zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtejshme, konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të kërcënimit dhe identitetin e personit përgjegjës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit