Transmetuar më 12-08-2026, 20:53

Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim pas një operacioni për prishjen e një ndërtimi pa leje në zonën e Karaburunit, në Vlorë.

Operacioni për shembjen e objektit, i cili ishte në funksion të një “beach bar”-i dhe po ndërtohej si strukturë druri, është zhvilluar këtë të mërkurë me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe Kryeinspektorit të IKMT-së, Afrim Qendro.

Sipas autoriteteve, objekti po ndërtohej nga shtetasit me inicialet O. Sh. dhe S. D. Të dy personat, sipas njoftimit, ishin proceduar më herët penalisht dhe kishin tejkaluar afatin e përcaktuar për prishjen vullnetare të objektit.

Gjatë operacionit, policia ka vënë në pranga S. D., ndërsa ortaku i tij, O. Sh., është shpallur në kërkim. Autoritetet kanë vijuar veprimet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë prononcimit për mediat, drejtuesit e institucioneve kanë përcjellë një paralajmërim për qytetarët që ndërmarrin ndërtime pa leje, duke theksuar se shkeljet do të ndëshkohen në përputhje me ligjin.

Ndërkohë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë po vijon hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që dyshohet se kanë përgjegjësi për ndërtimin, përfshirë ata që mund të kenë lejuar ose miratuar veprime në kundërshtim me ligjin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit