

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si po menaxhohet situata e zjarreve në vend, ndërsa ka ngritur dyshime për lidhje mes disa vatrave të zjarrit dhe interesave për shfrytëzimin e territorit.
Duke iu referuar situatës në Krujë, Koçeku tha se zona pas fabrikës së çimentos, ku ndodhen disa gurore, ka qenë ndër zonat e prekura nga zjarret. Sipas saj, fakti që në këtë zonë vijojnë të jenë aktive disa vatra ngre pikëpyetje që, sipas deputetes, duhen hetuar.
Koçeku pretendon se në Shqipëri ekzistojnë më shumë interesa ekonomike për shfrytëzimin e territoreve të djegura sesa për mbrojtjen e tyre. Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën e administrimit të tokave dhe pyjeve, duke argumentuar se mungesa e një përgjegjësie të qartë institucionale mund të krijojë hapësirë për abuzime dhe përfitime të paligjshme.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, deputetja e lidhi situatën edhe me proceset e mëparshme të reformës territoriale dhe me diskutimet aktuale për riorganizimin e disa bashkive.
Sipas Koçekut, dobësimi i kompetencave të njësive vendore mund të ndikojë në marrëdhënien mes komuniteteve dhe territoreve ku ato jetojnë, duke krijuar, sipas saj, një shkëputje të përgjegjësisë administrative nga territori.
Reagimi i plotë i Marjana Koçekut:
“Mbas fabrikës së çimentos në Krujë ndodhen 4-5 gurore të mëdha. Këto ditë, ky vend ishte edhe ndër vatrat kryesore të zjarrit, ku 3 prej tyne vazhdojnë me qenë aktive. Jo rastësisht… Shpeshherë zjarri në Shqipëri ka qenë politik dhe mjet për me zaptu territore të reja. Zjarr për me incentivu ‘zhvillime’ të mavonshme, lehtësime ligjore e depërtime që, në kushte normale, nuk do mundeshin me u realizu. Siç ndodhi në Pishë-Poro para dy vitesh, ku zjarri zgjati 10-ditë pa ndërhyrje dhe shkrumboi gjithçka.
Ka ma shumë shtysa me djeg e shfrytëzu territor sesa me e mbrojtë atë. Tu përqendru tanë energjitë te ndërtimi pa kriter dhe spekulativ, njerëzit shohin çdo lloj rruge për përfitim ekonomik. Jo rastësisht shumica e guroreve kontrollohen edhe nga grupe mafioze e kriminale. Nuk ka ende nji linjë të saktë sesi administrohet toka-pyll. Shpesh tu e lanë tokë të askujt, askushi s’e ndjen ma as përgjegjësinë e as përkatësinë, por vetëm dëshirën me zhvat e me përfitu.
Kjo pashmangshmërisht lidhet edhe me reformat territoriale që janë ba në kohë e që tash po synojnë me shkri disa bashki të vogla. Tu i heq kompetencat prej poshtë, po shkrihet lidhja e komunitetit me territorin, lidhja administrativo-institucionale me njerëzit e vendit. Kjo asht ma shkatërrimtarja. Tu heq përgjegjësinë e përkatësinë me vendin, marrëdhëniet e komunitetit me territorin kthehen veç në marrëdhënie burokratike në letër. Kthehen në marrëdhënie të thata e të shkretueme.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






