Transmetuar më 12-08-2026, 19:07

Situata e zjarreve në disa zona të vendit vijon të jetë shqetësuese, me vatra aktive në Lurë, Tiranë, Krujë, Patos dhe Përmet. Forcat zjarrfikëse, strukturat e emergjencave, Policia dhe Forcat e Armatosura po vijojnë operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa në disa zona ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri.

Një nga situatat më problematike paraqitet në Parkun Kombëtar të Lurës, ku zjarri vijon prej dy ditësh dhe është përhapur në sipërfaqe pyjore me bredha, përfshirë zona që, sipas raportimeve, nuk janë prekur më parë nga flakët.

Në operacion janë angazhuar më shumë se 220 forca, mes tyre zjarrfikës, efektivë të Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, strukturave të Emergjencave Civile dhe vullnetarë. Ndërhyrja po mbështetet edhe nga ajri, me dy avionë të tipit Air Tractor.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga operacioni në Lurë, duke deklaruar se përballja me flakët po vijon në kushte të vështira dhe temperatura të larta. Ai ka kërkuar gjithashtu nga Policia evidentimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për zjarrvënie të qëllimshme.

Situata paraqitet delikate edhe në periferi të Tiranës, ku një vatër zjarri është përhapur në kodrat mes Priskës dhe Farkës. Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, ndërsa ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me helikopter. Sipas raportimeve, aktualisht nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për banesat.

Në zonën e Dajtit, operacioni vijon mbi tunelet e Qafë-Mollës, me forca në terren dhe mbështetje nga dy helikopterë.

Vatra aktive raportohet edhe në Drenie të Patosit, ndërsa në Krujë janë evidentuar disa vatra zjarri. Në lagjen Boje, shërbimet zjarrfikëse janë pozicionuar pranë banesave, ndërsa një helikopter po ndërhyn nga ajri për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zjarre aktive raportohen edhe në Përmet, në zonën e malit të Nëmërçkës dhe malit të Dhëmbelit.

Ndërkohë, vatra e zjarrit në malin e Moravës, në Devoll, është izoluar dhe po mbahet nën monitorim nga strukturat në terren.

Situata mbetet dinamike, ndërsa forcat operacionale vijojnë ndërhyrjet në zonat ku zjarret paraqesin rrezik për përhapje të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit