

Sokol Hoxha, i deportuar gjashtë ditë më parë nga Shtetet e Bashkuara drejt Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës së Fierit me kërkesën për t’u liruar nga paraburgimi.
Sipas burimeve të raportuara nga Top Channel, Hoxha, i dënuar në Shqipëri për vrasjen e vëllezërve Ilirjan dhe Hektor Banaj, ka kërkuar përmes avokatëve që të rishikohen afatet e parashkrimit të dënimit.
Mbrojtja pretendon se vendimi ndaj tij është parashkruar, pasi ai ka qëndruar më shumë se 25 vite në arrati.
Çështja është hedhur në short dhe pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Fierit më 16 shtator.
Hoxha u deportua në Shqipëri pas një hetimi ndërkombëtar, gjatë të cilit autoritetet zbuluan se ai ishte fshehur në disa shtete dhe kishte jetuar në SHBA me identitet kosovar.
Ai mbahet aktualisht në paraburgimin 313.
Hoxha kërkohet gjithashtu nga autoritetet belge për vrasjen e Brunilda Dervishit në Bruksel, në vitin 1997. Sipas dosjes belge, Dervishi ishte vrarë me armë zjarri në një lokal në Bruksel, një ditë pasi u kishte telefonuar prindërve duke shprehur shqetësimin se bashkëshorti i saj donte ta vriste.
Autoritetet belge dyshuan për përfshirjen e Hoxhës pas gjurmimit të komunikimeve telefonike dhe gjetjes së një dokumenti identifikimi grek me fotografinë e tij gjatë kontrollit të banesës së një shtetaseje shqiptare në Bruksel.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






