

Aktiviteti i vazhdueshëm i vullkanit Etna ka shkaktuar kaos në trafikun ajror në Siçili, duke sjellë anulime, vonesa dhe devijime të shumta fluturimesh.
Aeroporti Fontanarossa i Katanias është mbyllur dhe pritet të qëndrojë jashtë funksionit të paktën deri në orën 18:00, ndërsa ende nuk është e qartë se kur do të rikthehet aktiviteti normal.
Sipas mediave të huaja, aeroporti po përballet me kufizime të forta prej shtatë ditësh për shkak të hirit vullkanik të Etnës.
Rreth 190 fluturime janë devijuar vetëm drejt aeroportit të Palermos, duke prekur rreth 30 mijë pasagjerë.
Situata ka shkaktuar radhë të gjata në aeroporte, ndërsa udhëtarët janë përballur me vështirësi për të gjetur alternativa për udhëtim. Palermo dhe Trapani janë përdorur si alternativa kryesore, ndërsa edhe aeroporti i Comisos është prekur nga prania e hirit.
Sipas Qendrës Këshillimore për Hirin Vullkanik në Tuluzë, reja e hirit nga Etna ka arritur në rreth 5,500 metra lartësi dhe po lëviz në drejtim të jugut dhe jugperëndimit.
Sasi të vogla hiri janë regjistruar edhe në Maltë dhe Libi, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë aktivitetin e vullkanit dhe ndikimin e tij në trafikun ajror.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






